E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dulla flet në panairin e librit

Megjithëse në Kosovë ka shkrimtarë më tepricë, asnjë prej tyre nuk foli në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë. Një prej folësve kryesorë qe 20-vjeçari Avdullah Hasani, i njohur si Dulla.

U paralajmërua prania e disa shkrimtarëve në Panairin e Librit ‘Prishtina 2012’, që u hap të hënën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Madje, organizatorët thanë se u kanë dërguar ftesë presidentëve të dy shteteve shqiptare, si dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ministrave të kulturës të Kosovës dhe Shqipërisë. E përpos Memli Krasniqit, asnjë tjetër nuk qe i pranishëm. Për të kompensuar mungesën e tyre, organizatori e kishte gjetur personin e duhur. Ai është Avdullah Hasani, i njohur si Dulla.

Ai që për disa vite ka qenë kryetar i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, deri kur e shkarkuan nga kjo detyrë dhe pastaj u bë kryetar i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës, duket se ka filluar të zgjerojë aktivitetin e tij në fusha të ndryshme të dijes, duke e zërë një vend të veçantë në hapje të panairit të librit. Në një fjalë jo shumë të gjatë, me disa fjali konfuze, ai përçoi mesazhe për bashkim.

“Është nder dhe privilegj për mua të flas në një veprimtari kaq madhore për librin, por jam i bindur se duke qenë pjesë e kësaj veprimtarie qoftë si udhëheqës i KREK-ut, por qoftë edhe si njëri që e shoh qartë një mesazh që duhet theksuar sot këtu. Lidhja e rëndësishme dhe e domosdoshme e të rinjve me librin, me dijet universale në të kaluarën e njerëzimit dhe të popullit tim, njëkohësisht dhe perspektivat që për ne të rinjtë janë tejet të rëndësishme dhe parësore. Nuk ka domethënëse për një shoqëri ku respekton të rinjtë por edhe ofrohen, përkrahen, mbështeten në të gjitha format për të qenë pjesë e pandarë e shoqërisë kontribuuese e të gjitha proceseve”, tha Hasani.

Duke i uruar shkëlqim të plotë këtij panairi, ai shtoi: “S’kam se si të mos e them se ky shkëlqim ndërlidhet bukur dhe bindshëm me 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë shqiptare por edhe me katër vjet të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Jemi bashkë e qofshim gjithmonë bashkë”.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se në panaire të mëdha botërore gjithmonë kanë folur shkrimtarë të mëdhenj. Si shembull e përmendi fjalimin e Stefan Cvajgut në hapjen e Panairit të Lajpcigut.

Pasi shprehi falënderime për gjithë mbështetësit, të cilët sipas tij, kanë mundësuar që panairi për çdo vit të jetë edhe sa më cilësor dhe më masiv, Demaku tha se në panair po marrin pjesë mbi tetëdhjetë botues.

“Sot para jush ekspozojnë mbi 80 botues të anëve ku flitet shqipja”, theksoi Demaku, duke shtuar se janë rreth 1600 tituj të librave të ri.

“Panairi i Librit në Prishtinë është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme në Kosovë, dhe është një nga hapësirat e rëndësishme ku intelektualet dhe gjithë njerëzit tjerë promovojnë idenë dhe nevojën për krijim dhe afirmim të vlerave të mirëfillta, dhe për një debat të shëndoshë për librin dhe publicistiken”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Ai shtoi se në këtë vit, kur shqiptarët shënojnë shekullin e pavarësisë, duhet që me plot respekt të nderohen shkrimtarët tanë që, sipas tij, nëpër vite kanë dhënë shumë për edukimin e brezave. Ai nuk e përmendi ndonjë titull të ndonjë libri që i pëlqen atij, apo ndonjë emër të ndonjë shkrimtari të preferuar. Megjithatë, libri që përmendi ai, e që sipas tij, është e arritur e madhe, është abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Ai po ashtu theksoi se këtë vit është dyfishuar buxheti për mbështetje të librit. Ndërsa shtoi se përkrahja e Ministrisë së Kulturës do të rritet.

Mbështetje për librin premtoi edhe Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në KK të Prishtinës.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, si dhe Atalanta Pasko, e bija e shkrimtarit të njohur, Dhimitër Pasko, i njohur edhe si Mitrush Kuteli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›