Dumani: 32 skuadra të përbashkëta hetimore me partnerët, përfaqësues të DEA dhe FBI pranë SPAK

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani deklaroi sot se, përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë zyrave të SPAK për të koordinuar dhe asistuar më mirë hetimin.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2023, Dumani theksoi se, “sa i përket bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare SPAK ka arrritur që tashmë të krijojë një besueshmëri me institucionet partnere në nivel rajonal dhe më gjerë.
Ndër të tjera, shtoi ai, “gjatë këtij viti për t’u shënuar është nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet SPAK dhe Prokurorit Publik Evropian më datë 29 qershor 2023”.
Nga ana tjetër, u shpreh Dumani, “përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë zyrave të SPAK për të koordinuar dhe asistuar më mirë hetimin dhe bashkëpunimin midis agjencive ligjzbatuese”.
“Prokuroria e Posaçme gjithashtu ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta edhe me shtete të Amerikës Latine, të cilat po rrisin ndjeshëm forcimin e bashkëpunimit në hetimin e veprave penale në kuadër të krimit të organizuar”, tha Dumani.
Kreu i SPAK shtoi se, niveli i bashkëpunimit ndërkombëtar është shumë i kënaqshëm, çfarë tregon rritjen e besimit të agjencive partnere tek SPAK.
Kështu, shtoi ai, “nga viti 2020 deri 2023 në funksion të hetimeve të SPAK, në total janë krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore. Nga këto 25 skuadra të përbashkëta hetimore janë aktive, ku 10 prej tyre janë krijuar vetëm gjatë vitit 2023”.
“Ka pasur 48 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike nga autoritete gjyqësore të huaja, nga të cilat 41 kërkesa janë ekzekutuar brenda vitit 2023 dhe 7 janë të mbartura për vitin 2024”, tha Dumani.
“SPAK ka një rritje të ndjeshme për kërkesat për jashtë vendit, ku ka përpiluar 122 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore të huaja për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Dumani.
Kreu i SPAK tha se, ka rritje të subjekteve që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka rritje dhe në kërkesat për ekstradim, ku gjatë vitit 2023, janë transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, 39 kërkesa për ekstradim nga jashtë vendit në Shqipëri.
Sa i përket kërkesave të paraqitura nga drejtuesi i SPAK për vendosjen në regjim të posaçëm të të dënuarve gjatë vitit 2023, Dumanit tha se, “janë paraqitur 26 kërkesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për vendosjen në regjim të posaçëm për 26 të dënuar. Për 4 të dënuar është vendosur refuzimi i kërkesës për vendosjen në regjim të posaçëm. Për 17 të dënuar vijon procesi i shqyrtimit të kërkesës në SPAK. Janë paraqitur 5 kërkesa nga drejtuesi i SPAK për vendosjen në regjim të posaçëm për 5 të dënuar dhe është konfirmuar vendosja në regjim të posaçëm me urdhër të ministrit të Drejtësisë për 2 prej tyre”.