Në kërkim nga Bullgaria, arrestohet në portin e Durrësit 61-vjeçari nga Kosova

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Një shtetas nga Kosova i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet në Bullgari për tentativë për vrasje dhe për vjedhje në rrethana rënduese u arrestua në portin e Durrësit.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se Z. H., 61 vjeç u arrestua si rezultat i intervistimeve të detajuara dhe verifikimeve të tjera të kryera me qëllim parandalimin e lëvizjes së kundërligjshme të shtetasve që janë të shpallur në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Ky shtetas u arrestua nga Policia e Pikës së Kalimit Kufitar të portit të Durrësit, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Sofias.
I dënuar më parë në Bullgari, 61-vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e këtij shteti, pasi i është caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.
Policia sqaron se vijon bashkëpunimi për ekstradimin e 61-vjeçarit, në Bullgari.
/k.s/