Dumani-Nokës: Drejtësia nuk mund të sfidohet, s’jam peng i askujt

TIRANË, 22 maj/ATSH/- “Nuk i kam patur duart e lidhura në 2008 dhe nuk i kam duart e lidhura as në vitin 2023 edhe as në vitin 2024 edhe deri sa të ushtroj detyrën time si prokuror”, deklaroi sot Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Dumani i pyet u pyetur nga deputeti i PD-së, Flamur Noka lidhur me procesin ndaj ish-kryemininistrit Sali Berisha: “Ju i keni hapur proces ligjor kryetarit të PD dhe opozitës pa asnjë fakt dhe asnjë provë. Sot mbani të burgosur politik atë pa akuzë. Rast unik dhe i pabazuar në ligj. Sigurisht nisët një proces ndaj tij në shkelje të Kushtetutës. Gjithashtu keni hapur një proces ligjor ndaj Fatmir Mediut, një drejtues tjetër i opozitës, megjithëse çështja e tij është parashtruar. Proces kundër Ilir Metës, drejtues i një tjetër force opozitare. Mos vallë po përdoreni politikisht për të luftuar opozitën ose keni një mision të detyruar nga kreu i këtij regjimi?”.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve duke iu përgjigjur pyetjeve të Nokës, Dumani tha se “unë ai që kam qenë ai jam. Nuk i kam patur duart e lidhura në 2008 dhe nuk i kam duart e lidhura as në vitin 2023 edhe as në vitin 2024 edhe deri sa të ushtroj detyrën time si prokuror. Lëre drejtues, unë jam prokuror. E lidh veten time me prokuror. Politik? Nuk ka shans të jem politik dhe nuk ka shans të më ndikojë kush mua në punën time dhe ju e dini shumë mirë që nuk ka shans kush të më ndikojë në punën time”.
“Zero shanse në punën time dhe të kolegëve të mi me të cilët ne ndajmë çdo problematikë dhe çdo shqetësim që kemi në punën tonë. Lidhur me çështjen në ngarkim të ish-kryeministrit, ajo është një çështje nën hetim, unë nuk mund të prononcohem. Çdo vendim është i kontrollueshëm nga sistemi gjyqësor, por mund të them këtë që drejtësia nuk mund të sfidohet dhe nuk jam peng i askujt”, deklaroi kreu i SPAK.
Sa i përket çështjes së inceneratorit të Tiranës, Dumani iu përgjigj Nokës duke theksuar së “çështja është në hetim dhe është në fazën më dinamike të tij”.
Noka e pyeti Dumanin lidhur me dosjen “Metamorfoza”: Keni njoftuar që dosja janë firmosur 51 urdhër-arreste në mos gaboj, të arrestuar janë 6 në mos gaboj dhe asnjë nuk është arrestuar tani, të gjithë janë arrestuar për çështje të tjerë. Kush e dekonspiroi këtë operacion, ju apo Policia e Shtetit? Ata e kanë mohuar duke thënë se vetëm shoqërojnë hetuesit e BKH-së. Kemi të drejtën të dyshojmë se ky operacion njësoj si Forca e Ligjit përdoret si presion ndaj grupeve elektorale për t’i shndërruar në shtabe elektorale për Rilindjen”.
“Si mund të shkosh kaq larg dhe të aludosh. Është mundi dhe fryti i punës së hetuesve, kemi punuar ditë e natë, orar e pa orar. Për mua është shumë fyese dhe shumë denigruese të aludosh për personat të cilët me mish e me thua janë përpjekur të hetojnë një çështje kaq komplekse me kaq personazhe në dosje. Përgjegjësia ime është të ushtroj ndjekjen penale”, deklaroi kreu i SPAK.