Vakancat në KLP e KLGJ, Kuvendi nis shqyrtimin e kandidaturave

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Në Kuvendin e Shqipërisë u konstituua sot nënkomisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve.
Ky nënkomison përbëhet nga tre anëtarë nga radhët e Partisë Socialiste: Klotilda Bushka Ferhati, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi. Ndërkohë nga radhët e opozitës janë: Dhurata Çupi dhe Gazment Bardhi.
Gjatë punimeve në Komision mungonte kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi për arsye të një vizite zyrtare jashtë vendit. Drejtuesja e punimeve në nënkomision tha se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe në mbledhjen e parë të komisionit parashikohet të miratohet kalendari i punimeve të nënkomisionit.
“Janë shpallur vakancat nga Kuvendi. Është bërë nga Avokati i Popullit, është realizuar verifikimi i kandidatëve. Avokati i Popullit i ka përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit raportet dhe dokumentacionin përkatës. Avokati i Popullit ka kryer verifikimet e tij, dhe i ka nisur Komisionit të Ligjeve raportet përkatëse. Menjëherë pasi Komisioni i Ligjeve është vënë në dijeni ka nisur procedurën për ngritjen e këtij nënkomisioni”, tha Ferhati.
“Sekretaria do të shpërndajë materialet për kandidatët. Këto ditë do jenë në dispozicion për t’u verifikuar nga secili anëtar i nënkomisionit. Do të jenë kandidatët e përzgjedhur dhe ato që nuk janë përzgjedhur. Duhet të ecim me kriteret e meritës dhe transparencës, në besim të publikut”, tha Ferhati.
Dhurata Çupi tha se kërkohet transparencë në këtë proces. “Jemi dakord për konstituimin sot. Do duhej të bëhej sot sipas afateve. Sot, për arsye zyrtare, Bardhi mungon. Jemi dakord në respekt të procedurave ligjore të vijojmë me konstituimin. Ky proces ka patur hije dyshimi dhe është mirë që të vijojmë punën në transparencë të plotë”, tha Çupi.
/a.f/r.e/