Dumani: Po bëhen veprime të shumta hetimore për “21 Janarin”

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani bëri të ditur se janë kryer veprime të shumta hetimore sa i takon dosjes së vrasjes së 4 protestuesve para Kryeministrisë në protestën e 21 janarit 2011.
Gjatë një bashkëbisedim informal me gazetarët, kreu i SPAK tha se hetimet po vijojnë intensivisht dhe pasi të grumbullohen provat do të vijojë dhe përballja.
I pyetur nëse është identifikuar emri i ndonjë ish zyrtari të lartë dhe a do të thirren persona të tjerë për tu pyetur, Dumani u përgjigj se “për pyetjen e parë nuk shprehem. Për të dytën, është kompetence e prokurorit të çështjes për të thirrur persona të ndryshëm. Po bëhen veprime te shumta hetimore. Unë personalisht, preferoj që dëshmitaret t’i thërras të fundit, pasi të grumbulloj prova, më pëlqen t’i ballafaqoj”.
Lidhur për vendimin e Apelit të GJKKO-së për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën nga “arrest shtëpie” në “detyrim me paraqitje”, Dumani tha se respekton vendimin e gjykatave, por kujtoi se gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë veprimeve të tyre.
“Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fundit të gjithave”, tha Dumani.
I pyetur në lidhje me arrestimet e politikanëve, emrat e të cilëve mund të kenë dalë nga komunikimet në “Sky ECC”, Dumani ka deklaruar se një prej tyre është në qeli referuar ish-deputetit Jurgis Çyrbja.
Kreu i SPAK ka shtuar se nuk kanë në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, por në vijimësi do të kërkojnë kode të tjera në bazë të hetimeve që ata kanë.
“Nuk është e vërtetë që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk na ka dalë lidhja direkte.
Ne si institucion, shtoi Dumani, jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemet, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv. Tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, ne po presim vendimin e arsyetuar për të parë argumentat. Në përpiqemi që të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në “Sky ECC”, por t’i lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kushdo person, e kemi prova do të marrim vendimet tona”, tha Dumani.
Sa i takon hetimeve për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, Dumani tha se “çështja është në fazën e hetimit paraprak. Kontrollet që janë bërë janë mjet për gjetjen e provës”.
/m.q/a.f/