Dumani pret homologun serb, bashkëpunim për luftën kundër krimit e pastrimit të parave

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, priti sot drejtuesin e Prokurorisë për Krimin e Organizuar të Serbisë, Mladen Nenadiç.
Gjatë takimit që u zhvillua në zyrat e SPAK, në Tiranë, u diskutua për ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit mes dy institucioneve në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Dumani dhe Nenadic theksuan rëndësinë e shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit dhe ekspertizës, në dobi të zbatimit të ligjit, sigurisë rajonale dhe më gjerë.
I mbështetur nga projekti për Drejtësinë Penale në Ballkanin Perëndimor pranë Eurojust, ky takim, i pari mes dy institucioneve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Serbisë shënon një hap të rëndësishëm përpara për bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
/m.q//a.f/