Zjarr në Butrint, prefekti Nesturi: Situata në kontroll, forcat zjarrfikëse në terren

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Flakët e zjarrit kanë përfshirë pasditen e sotme një zonë të gjelbëruar pranë Parkut Kombëtar të Butrintit në Sarandë.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Plator Nesturi tha për ATSH-në se forcat zjarrfikëse janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e tij ndërsa situata është vënë nën kontroll.
Nesturi u shpreh se për shuarjen e zjarrit nuk është e nevojshme ndërhyrja nga ajri.
Prefekti Nesturi informoi se sipas informacioneve të para dyshohet për zjarrvënie, por po punohet për identifikimin e autorit.
Ndërsa kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi tha se “falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe strukturave vendore, u arrit të vihej nën kontroll vatra e zjarrit që rrezikonte sipërfaqe të gjelbërta dhe biodiversitetin e Parkut Kombëtar të Butrintit”. Kryebashkiaku Çaçi tha se “Parku Kombëtar i Butrintit mbetet një pasuri natyrore dhe kulturore e çmuar, që ka nevojë për mbrojtjen dhe kujdesin e të gjithëve”.Vera e këtij viti ka shënuar një numër të lartë zjarresh në shumë zona të vendit si pasojë e temperaturave të larta dhe zjarrvënies së qëllimshme.
Gjatë muajve të verës u kryen 1354 operacione për shuarjen e 193 zjarreve masive. Në operacionet për shuarjen e flakëve në të gjithë Shqipërinë morën pjesë mbi 10 mijë forca operacionale dhe 532 mjete tokësore nga FA, Policia e Shtetit, AdZM dhe vullnetarë.
1 nga 7/k.s/j.p/