RIGA – Lituania: Asnjë incident në kufi gjatë manovrave ushtarake bjelloruso-ruse

RIGA, 15 shtator /ATSH-DPA./ – Lituania njoftoi se deri tani nuk janë regjistruar incidente në kufijtë e saj gjatë manovrave ushtarake ruso-bjelloruse “Zapad”.
“Fundjava e parë e fazës aktive të manovrave ‘Zapad’ ishte relativisht e qetë, si në aspektin e migracionit të paligjshëm ashtu edhe të incidenteve të tjera në kufi”, tha sot shefi i Gardës Kufitare, Rustamas Liubajevas, për radion lituaneze .
“Rojet kufitare nuk regjistruan ndonjë aktivitet të pazakontë”, shtoi ai.
Megjithatë, autoritetet e këtij vendi baltik, anëtar i BE-së dhe NATO-s, besojnë se ekziston ende potencial për probleme.
Rusia dhe aleatja e saj Bjellorusia po praktikojnë vendosjen e përbashkët të forcave të tyre të armatosura gjatë stërvitjeve.
Ministrja lituaneze e Mbrojtjes, Dovilė Sakalienė, tha se stërvitja e këtij viti është dukshëm më e vogël në përmasa sesa vitet e kaluara dhe fokusohet shumë tek përdorimi i dronëve.
Moska nuk ka publikuar shifra zyrtare mbi numrin e ushtarëve dhe njësive ushtarake të përfshira në “Zapad”.
Sipas vlerësimeve lituaneze, gjithsej rreth 30 000 ushtarë marrin pjesë, përfshirë rreth 8 000 në Bjellorusi dhe deri në 4 000 në enklavën ruse të Detit Baltik, Kaliningrad. /Ad.Ab./