E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dunga: Spanja favorite për Kupën e Konfederatave

Bloemfontein - Spanja kampione e Evropës është favoritja kryesore për të fituar Kupën e Konfederatave. Këtë e deklaron, as më shumë e as më pak, por vetë trajneri i përfaqësueses braziliane Karlos Dunga. Tekniku i “Seleçaos” nuk e sheh Brazilin e tij si favoritin kryesor të këtij evenimenti.

“Në finale mund të mbërrijmë ne dhe Spanja, dhe besoj se iberikët janë më favoritë. Spanjollët kanë fituar evropianin dhe vazhdojnë të luajnë një futboll të bukur. Padyshim është skuadra e momentit”, deklaron Karlos Dunga nga qyteti Bloemfontein, ku të hënën do të ndeshet me Egjiptin kampion i Afrikës.

Spanja ndodhet në grup me Zelandën e Re, Afrikën e Jugut dhe Irakun, ndërsa Brazili do ketë përballë Italinë kampione bote, Egjiptin dhe SHBA-në.

“Për të arritur finalen duhet të fitojmë më parë ndeshjet e grupit. Italia është kampione bote, dhe kjo do te thotë shumë. Por, Spanja është kombëtarja e momentit. Në fazën e parë do kemi kundërshtarë të vështirë, prandaj duhet të përqendrohemi shumë në ndeshjen e parë ndaj Egjiptit”, thekson tekniku brazilian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›