Duran Duran në Shkup

Organizator i koncertit është produksioni Avalon nga Shkupi. Projekti i Duran Duran është njëri nga investimet më të mëdha të Avalon, në kategorinë e promocionit të koncerteve.
Britanikët po zhvillojnë turneun me rastin e promovimit të albumit të tyre më të ri të titulluar ‘All You Need is Now’, album i cili doli në shitje në muajin mars.
Bendi i famshëm i viteve 80-të vjen për të dhënë koncert në Shkup, pas një performance tjetër në Selanik të Greqisë.
Duran Duran në Shkup vjen me formacionin Nick Rhodes, John Taylor, Roger Taylor dhe Simon Le Bon. Për publikun në kryeqendrën e Maqedonisë, do të përgatitet një skenë me madhësi mbi 50 metra dhe një light show i paparë deri më tani në koncertet në Mqedoni.
Biletat kanë dalë në shitje edhe në Prishtinë tek Papillon, Peoples, Sokoli dhe Mirusha, Madeks, Gjilan- Te Papaku dhe Ferizaj- Blla, Blla.
“Është një nga koncertet më të mëdha që i kemi marrë përsipër t’i realizojmë. Pos kësaj ne si Avalon, na paraqet kënaqësi të bashkëpunojmë me një nga bendet më të zëshme, sa i përket krijimtarisë së viteve 80-të. Çka është e veçantë për këtë bend, është se këta djem krijojnë ende dhe tingëllojnë aq mirë në koncerte, sa që për momentin paraqesin një nga atraksionet kryesore në skenën muzikore”, është shprehur Boban Milosheski, drejtor i Avalon. Ai ka shtuar se presin një feedback të madh nga fansat e rajonit, sidomos nga fansat kosovarë. “Kosovarët janë ata që janë përgjigjur çdoherë në numër të madh projekteve tona, andaj besoj fuqishëm se kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Unë them se secili që do të shohë performancen e Duran Duran nuk do të ndahet i zhgënjyer”, ka shtuar ai.
Pas koncertit të Duran Duran, Avalon organizon edhe një spektakël. Rokeri amerikan Lenny Kravitz do të paraqitet me koncert në Shkup më 2 tetor. Koncerti i Kravitz do të zhvillohet në arenën Boris Trajkovski. Rokeri amerikan paraqitet për herë të dytë në Maqedoni pas koncertit që e zhvilloi 5 vjet më parë në Ohër.