E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Këmisha e gjakut

Në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, për tri net rresht, do të jepet repriza e shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’ e regjisorit Bekim Lumi. Kjo është bërë e mundur nga Ambasada Britanike në Prishtinë, ndërsa i pranishëm në këtë shfaqje do të jetë edhe vet ambasadori Ian Cliff.

Ambasada Britanike në Prishtinë ka mbështetur tri repriza të shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’ të regjisorit Bekim Lumi. Nga sot (e enjte) deri më 30 qershor, në orën 20:00, në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, do të shfaqet ‘Këmisha e gjakut’, e cila është një kombinim unik i motiveve dhe fragmenteve nga tragjeditë e dramaturgut anglez William Shakespeare, ‘Makbethi’, ‘Rikardi i tretë’ dhe ‘Hamleti’ si dhe kodit tradicional shqiptar të Lekë Dukagjinit, i njohur si ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’, i cili përfshin tradita dhe rituale të vjetra shqiptare. I pranishëm do të jetë edhe vet ambasadori britanik, Ian Cliff. Po ashtu do të jenë edhe figura të shumta të politikës, kulturës dhe artit.

Në një njoftim të ambasadës britanike në Prishtinë bëhet e ditur se kjo mbështetje e kësaj shfaqjeje është një shembull i shkëlqyeshëm i takimit të kulturave angleze dhe shqiptare dhe i prodhimit të diçkaje tërësisht të re.

Meliza Islami, asistente e këtij projekti u shpreh për Express se ka qenë interesi i Ambasadës Britanike që të përkrahet kjo shfaqje. Ajo po ashtu bëri të ditur se të pranishëm do të jenë edhe zëvendësministri në Ministrinë e Kulturës, pastaj ministri Ibrahim Makolli, do të ketë profesorë, nga rektorati dhe personalitete të ndryshme, të cilëve iu është bërë ftesë nga ambasada britanike.

Ndërkaq, regjisori i shfaqjes, Bekim Lumi, dukej i entuziazmuar me mbështetjen që ambasada britanike po i bënë shfaqjes së tij si dhe me interesimin e ambasadorit Cliff për të parë shfaqjen.

“Është një nder i veçantë për mua si regjisor dhe për aktorët e shfaqjes time që të performojmë para një audience të nderuar, në mesin e të cilëve, gjatë tre ditëve sa do të jepet kjo shfaqje, do të ketë diplomatë, artistë, politikanë, profesorë universitarë dhe personalitete të tjera të jetës publike, të cilët janë mysafirë të Ambasadorit Britanik në Kosovë, z. Ian Cliff”, tha Lumi.

Ai tregoi se organizimi i këtyre tri reprizave të shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’ bëhet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Teatrit Laborator ‘Loja’ dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, përkatësisht përpjekjeve të përbashkëta për thellimin e bashkëpunimit artistik dhe kulturor ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Fakti që në këtë shfaqje janë gërshetuar motivet e tri tragjedive të Shakespeare-it dhe disa nga motivet e kodit zakonor shqiptar, përkatësisht ‘Kanunit të Leke Dukagjinit’, ka qenë shtysa kryesore për organizimin e këtyre tri netëve shekspiriane, gjatë të cilave, në kontekstin skenik dhe artistik, do të shpërfaqen disa nga pikëtakimet e kulturave të të dy vendeve tona.

Duket se ftesa e ambasadorit britanik i ka nxitur disa prej politikanëve kosovarë që të shkojnë ta shohin këtë shfaqje, premiera e së cilës është dhënë vitin e kaluar.

Lumi tha se e vlerëson lart faktin që organizimi i këtyre tri reprizave të shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’ bëhet me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe të Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit Britanik, z. Ian Cliff.

“Në këtë kontekst, ne i mirëpresim të gjithë mysafirët e ftuar, qofshin ata politikanë, artistë, gazetarë, profesorë universitarë apo publicistë. Pavarësisht nga profesioni i tyre, ata në shfaqjen tonë vijnë me statusin e të ftuarit dhe të spektatorit dhe, si të tillë, janë të mirëseardhur”, tha Lumi.

Ai tregoi se në mesin e të ftuarve është edhe regjisori dhe producenti britanik Richard Gough, i cili është Drejtor i ‘Centre for Performance Research’ nga Wales. Ardhja e tij në Kosovë, sikundër edhe organizimi i këtyre tri netëve shekspiriane, është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Lumi u shpreh se vizita e Richard Gough, veç tjerash, ka edhe karakter bashkëpunimi ndërmjet Teatrit Laborator ‘Loja’ dhe ‘Centre for Performance Research’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›