E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria dhe OLAF thellojnë bashkëpunimin për mbrojtjen e fondeve të BE-së

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, (SASPAC) Eridana Çano priti në një takim Salla Saastamoinen, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), së bashku me ekipin e saj, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit në mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në fokus të takimit ishin përpjekjet për të rritur efektivitetin e mekanizmave kundër mashtrimit në kuadër të instrumenteve të ndihmës së BE-së, siç janë programet IPA III, Bashkëpunimi Territorial dhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje.

Gjatë diskutimeve u theksuan masat konkrete që tashmë janë në zbatim,përfshirë: Sistemin e brendshëm të menaxhimit të parregullsive; trajnimin e stafit për zbulimin e mashtrimeve dhe konflikteve të interesit; krijimin e një kanali të dedikuar për raportimin e rasteve të dyshimta; bashkëpunimin e ngushtë me Autoritetet Menaxhuese dhe strukturën AFCOS pranë Ministrisë së Financave.

Të dyja palët ritheksuan angazhimin e tyre të përbashkët për rritjen e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në administrimin e fondeve të BE-së në Shqipëri.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt garantimit të përdorimit të drejtë dhe të sigurt të ndihmës evropiane për zhvillimin e vendit.

/e.xh//a.f/

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›