Duro: Besa është për titullTrajneri i Beses: "Në luftë për titull unë shikoj edhe Tiranën, pavarësisht momentit që po kalon, po kështu dhe Dinamon e Apoloninë”

Rrjetet sociale:
Besa gjatë tetë javëve të para të Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit është shfaqur si një pretendente e denjë për titull, duke qenë rivalja më e madhe e Dinamos në luftën për kurorën e kampiones së edicionit 2009-2010. Me 18 pikë në 8 javë kampionat, dhe për me tepër pa pësuar asnjë humbje dhe me vetëm një gol të pësuar në 720 minuta, kavajasit nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro kanë profilizuar një skuadër kompakte nga porta e deri te vija e parë.
Shpëtim Duro, ish-ndihmësi i trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç, pa dyshim që ka një pjesë të meritave në këtë fillimsezoni të suksesshëm.
“Jam i kënaqur nga skuadra ime deri tani. Ekipi ka dhënë maksimumin e tij. E vlerësoj lojën e bërë. Barazimi ndaj Apolonisë nuk mund të konsiderohet kurrsesi si një dështim i madh, pasi si Apolonia ashtu dhe Dinamo janë skuadra të mira e të forta”, - tha Duro për “Ora Sport”.
Në fakt, Besa edhe pse ndodhet në vendin e dytë me 18 pikë, është skuadra e shtatë e Superligës për nga numri i golave të shënuar, vetëm 7 të tillë, pra më pak se një gol për ndeshje.
“Shpërdorojmë shumë raste përpara portës. Gjithsesi, problem mbetet edhe gjendja e terrenit të stadiumit, pasi në transfertë shprehemi më mirë, luajmë më mirë me topa të gjatë” – tha Duro.
Ish-trajneri i Partizanit bën edhe disa vlerësime të shpejta për lojtarët, duke theksuar se përveç portierit Shehi, kapitenit Mancaku e sulmuesit Daniel Xhafaj, është shumë i kënaqur nga rendimenti i Artion Poçit, Endri Vrapit dhe të riut të talentuar Sokol Cikalleshi.
Ndeshja e radhës për Besën është ajo kundër Kastriotit në Krujë (të dielën, ora 13:00). Duro thotë: “Mendoj se në Krujë do të zhvillohet një ndeshje e bukur pasi dhe terreni është i mirë”.
Përsa i përket titullit kampion, çka do të ishte i pari në historinë e Besës, Duro tha: “Besa nuk duhet paragjykuar aspak pse ka një fanellë më të lehtë se Dinamo apo Tirana, mund të them pa mëdyshje se Besa është e denjë për titull. Në luftë për titull unë shikoj edhe Tiranën, pavarësisht momentit që po kalon, po kështu dhe Dinamon e Apoloninë”
Trajneri i Besës nuk e përjashtoi mundësinë edhe të ndërhyrjes në merkaton e janarit për të bërë ndonjë korrigjim të mundshëm dhe të evidentuar gjatë kësaj periudhe.
Numri i klikimeve - 7837
E Merkure, 28 Tetor 2009