Duro: Irlanda e Veriut, banko-provë për grupin

www.albania-sport.com - Irlanda e Veriut është kundërshtari i parë i Shqipërisë për vitin 2010, edhe pse takimi është veçse një miqësore, ndaj një kundërshtari që rikthehet në “Qemal Stafa” pas plot 17 vjetësh, qysh nga fitorja 2-1 e irlandezoveriorëve në shkurt të vitit 1993 (gol i Altin Rrakllit) , ndërkohë që takimi i fundit midis dy formacioneve – një fitore 1-0 për Shqipërinë, gol i Altin Haxhit – u luajt në Curih të Zvicrës, për shkak të vitit të mbrapshtë 1997 në Shqipëri.
Ndërkohë që trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati Josip Kuzhe, tekniku i shtatë i përfaqësueses sonë që do të përballet kundër Irlandës së Veriut, më në fund ka kryer një seancë stërvitore në “Niko Dovana të plotë me të 20 lojtarët e thirrur për miqësoren e katërt të Shqipërisë nën drejtimin e tij, në kryeqytetin shqiptar ka mbërritur skuadra mike.
Shqipëria ka njohur pesë kundërshtarët e saj për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, aventurë që nis në Bukuresht me Rumaninë, aty ky kemi humbur për herë të fundit me rezultatin e thellë 6-1, rezultat me të cilin ka fituar Shqipëria në miqësoren e fundit të zhvilluar në “Qemal Stafa” kundër Qipros, rezultati më i bujshëm i Kombëtares sonë në një ndeshje ndërkombëtare.
Mesfushori me përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, Klodian Duro (luan me Apollon Limasol në Qipro), e vlerëson shumë të rëndësishëm takimin me Irlandën e Veriut, duke theksuar dobishmërinë e takimit gjatë konferencës së tij për shtyp.
“Irlanda e Veriut është e ndryshme nga skuadrat e tjera që ne kemi në grup, kjo miqësore na vlen shumë pasi duhet të krijojmë grupin dhe të jemi gati për eliminatoret”, - tha Klodian Duro, autor i katër golave me përfaqësuesen, po aq sa legjenda Panajot Pano.
Shqipëria do të përballet në eliminatoret e Kampionatit Europian me emra të “rëndë” si Franca, Rumania, por dhe Bosnja. Për ish-lojtarin e Tiranës, Vllaznisë, Elbasanit e Partizanit, shanset janë për një renditje më të mirë se sa ajo në fushatën e Botërorit 2010, kur kuqezinjtë u renditën në vendin e parafundit, duke lënë pas vetëm Maltën, ndaj së cilës vetë Duro shënoi golin e dytë në fitoren 3-0 ndaj tyre, njëherësh edhe e vetmja në ato kualifikuese.
Klodian Duro, autori i golit të vetëm të Shqipërisë në humbjen kundër Rusisë (4-1) në eliminatoret e Kampionatit Europian 2004 (atëherë në krye të bankinës sonë ishte italiani Xhuzepe Dosena), tha: “Mendoj se i kemi shanset për një renditje më të mirë në këto eliminatore. E rëndësishme është ta nisim mirë dhe të krijojmë edhe një atmosferë pozitive, megjithatë duhet të pranojmë se grupi është shumë i vështirë. Objektivi ynë duhet të jetë që të fitojmë nga 6 pikë me skuadra si Luksemburgu apo Bjellorusia”.
Në fakt, si Luksemburgu ashtu dhe Bjellorusia ishin kundërshtare të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2008, por nëse ndaj modestëve të Luksemburgut i morrëm 6 pikët e plota, ndaj Bjellorusisë gabuam pikërisht në ndeshjen në “Qemal Stafa”, kur humbëm 4-2, pavarësisht se në Minsk kishim barazuar 2-2 (në stol ishte ish-trajneri kroat Oto Bariç).
Duro, një nga pesë lojtarët mbi 30 vjeç së bashku edhe me portierin Arjan Beqaj (33 vjeç), mesfushorin shkatërrues Altin Lala (34 vjeç), fantazistin Ervin Skela (33 vjeç) dhe sulmuesin Erjon Bogdani (32 vjeç), u shpreh i kënaqur me rikthimet e Beqajt dhe Lalës.
“Takohemi për herë të parë pas kaq kohësh dhe për fat grupi është i plotë”, - tha 32-vjeçari Klodian Duro. Lala i mungon Kombëtares qysh nga ndeshja kundër Danimarkës në Kopenhagen (1 prill 2009), ndërkohë që Arjan Beqaj nga ajo kundër Hungarisë (28 mars 2009).
I pyetur në lidhje me refuzimin për herë të dytë të kosovarit Mërgim Mavraj të ftesës për të veshur fanellën e Shqipërisë e jo të Gjermanisë, siç pretendon mbrojtësi i Bokumit, Duro u tregua i drejtpërdrejtë.
“Futbollistët me origjinë nga Kosova, megjithëse të gjithë jemi shqiptarë, janë pritur gjithnjë ngrohtë në kombëtare dhe janë ndjerë mirë. Ky ka qenë një vendim i Mavrajt dhe ai e di vetë. Por, unë jam i mendimit se edhe brenda territorit ne kemi futbollistë mjaft të mirë dhe te të cilët mund të mbështetemi për të ardhmen”, deklaroi mesfushori kuqezi, i cili luan për Shqipërinë qysh nga 25 prilli i vitit 2001, në një ndeshje të fituar 2-0 nga Shqipëria kundër Turqisë e të zhvilluar në qytetin e Gaziantepit, nën drejtimin e Mehdin Zhegës.
4 golat e Duros
ZYRTARE
Rusi-Shqipëri, 4-1, El. Euro 2004
Shqipëri-Bullgari, 1-1, El. Euro 2008
Shqipëri-Maltë, 3-0, El. Botërori 2010
MIQESORE
Shqipëri-Maltë, 3-0, Miqësore
LISTA
1. Arjan Beqaj Anorthosis Famagusta
2. Isli Hidi Kryvbas
3. Andi Lila Tirana
4. Armend Dallku Vorskla Poltava
5. Kristi Vangjeli Aris Selaniku
6. Ansi Agolli Kryvbas
7. Lorik Cana Sunderland
8. Altin Lala Hanover 96
9. Debatik Curri Vorskla Poltava
10. Ervin Bulku Kryvbas
11. Klodian Duro Apollon Limasol
12. Ervin Skela Tus Koblenz
13. Jahmir Hyka Mainz
14. Gilman Lika Boluspor
15. Emilian Vila Dinamo
16. Gjergj Muzaka Tirana
17. Erjon Bogdani Chievo
18. Hamdi Salihi Rapid i Vienës
19. Edmond Kapllani Tus Koblenz
20. Elis Bakaj Dinamo
Trajner
Josip Kuzhe
BILANCI ME IRLANDËN E VERIUT
07.05.1965, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 4-1
Trajner: Zyber Konçi
Shënues: Robert Jashari
El.KB 1966
24.11.1965, Tiranë
Shqipëri-Irlandë V. 1-1
Trajner: Loro Boriçi
Shënues: Mehdin Zhega
El.KB 1966
15.12.1982, Tiranë
Shqipëri-Irlandë V. 0-0
Trajner: Shyqyri Rreli
El.Euro 1984
27.04.1983, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 1-0
Trajner: Shyqyri Rreli
El.Euro 1984
09.09.1992, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 3-0
Trajner: Bejkush Birçe
El.KB 1994
17.02.1993, Tirana
Shqipëri-Irlandë V. 1-2
Trajner: Bejkush Birçe
Shënues: Altin Rraklli
El.KB 1994
14.12.1996, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 2-0
Trajner: Astrit Hafizi
El.KB 1998
10.09.1997, Zyrih
Shqipëri-Irlandë V. 1-0
Trajner: Astrit Hafizi
Shënues: Altin Haxhi
El.KB 1998
Bilanci: 8 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 5 humbje. Golaverazhi: 4-13. Golashënuesit e Shqipërisë: Robert Jashari, Mehdin Zhega Altin Rraklli, Altin Haxhi
SHQIPËRIA ME KUZHENË
ZYRTARE
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1
MIQËSORE
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 01 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili