Duro: Lamtumira? Jam ende pjesë e futbollit të luajtur
Pas ndeshjesh me Luksemburgun, ndeshje e cila do të qëndrojë përgjithnjë e arkivuar me njollën e turpit të humbjes ndaj një skuadre mëse modeste, Klodian Duro, Ervin Skela dhe Altin Lala u vunë në bankën e të akuzuarve duke u bërë, së bashku me trajnerin Kuzhe, fajtorët kryesorë për humbjen 2-1 të 6 shtatorit. Kroati u fajësua se u besoi atyre që nga minuta e parë, ndërsa ata u fajësuan se nuk dhanë maksimumin në një ndeshje të lehtë për t’u fituar, por që u humb aq lehtësisht.
Një ditë pas asaj zallamahie, në korridoret e FSHF, të shtyrë edhe nga deklarata e kroatit Kuzhe që ka premtuar revolucionin që në dy ndeshjet e mbetura eliminatore, vërshuan fjalët se për sfidën me Rumaninë është përgatitur ceremonia e lamtumirës për këtë grup lojtarësh. Në mes tyre duhet të jetë edhe Bogdani, por sulmuesi, së bashku me Lalën, janë të vetmit që kanë deklaruar tërheqjen nga fanella kuqezi pas ndeshjeve të tetorit. Dy të tjerët, Skela dhe Duro, nuk e kanë bërë diçka të tillë, ndaj mesfushorit bardheblu, që numëron 76 ndeshje me fanellën kuqezi, ky lajm i duket fare i pabazuar. Sipas tij, është e pamundur që t’i organizohet një ceremoni lamtumire nga kombëtarja, për sa kohë ai është në aktivitet dhe nuk ka deklaruar largimin nga Shqipëria. “Mua më vjen keq për këto fjalë sepse nuk i takon FSHF-së të më detyrojë që të largohem nga kombëtaja. Këtë gjë kam në dorë ta bëj unë dhe trajnerët që nëse duan, mund të mos më grumbullojnë më dhe duke qenë se mosha bën të vetën, edhe largimi do të ishte mëse i arsyeshëm. Por një lamtumirë e tillë, në këtë formë dhe mbi të gjitha kolektive, pasi nga sa është thënë veç meje është edhe Skela, Lala apo Bogdani, më duket shumë e habitshme,” ka deklaruar mesfushori i rikthyer në kampionatin shqiptar me fanellën e bardhebluve të Tiranës.
Më pas, mesfushori që shënuar edhe 6 gola me kuqezinjtë, të fundit në barazimin 1-1 në tetorin e vitit të shkuar përballë Bosnjes, flet për aventurën e tij të re me kryeqytetasit bardheblu. Për Duron, kjo nuk është një aventurë e re, pasi elbasanasi është aktivizuar edhe më parë me Tiranën në sezonet 2005-2008, duke zbritur 84 herë në fushë dhe shënuar 25 gola. Megjithatë, ai ende pret ndeshjen e tij të parë, pasi në dy sfidat e para të kampionatit nuk është aktivizuar në asnjë rast (mbërriti pas javës së parë). “Tirana është pretendente për titullin kampion. Është një gjakun e kësaj skuadre që të jetë gjithnjë pretendente. Pas humbjes në ndeshjen e parë, skuadra ka arritur të fitojë dy takimet e tjera dhe është në garë me rivalet e tjera për titullin. Tirana ka në gjirin e saj lojtarë të rinj, por shumë të talentuar që së bashku me veteranët do të dinë të krijojnë atë lidhjen e duhur për ta çuar ekipin sa më lart në klasifikim,” ka përfunduar mesfushori Klodian Duro.