Mjekët e QSUT, lidhje me spitalet e rretheve
Më pak kohë dhe para për t’u diagnostikuar edhe në spitalet e rretheve, pa qenë nevoja që për çdo rast të shkosh në Tiranë. Tashmë, për pacientët e rretheve do të ofrohet mundësia që ata të trajtohen për problemin shëndetësor që kanë duke u konsultuar në distancë me mjekë nga Tirana. Kjo do të bëhet e mundur falë shërbimit të telemjekësisë, që do të ofrohet për herë të parë edhe në vendin tonë. Ditën e djeshme është inauguruar hapja e Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Rrjeti i Programit të Integruar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri përbëhet nga Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë në QSUT, në Tiranë dhe prej disa Qendrave Rajonale të Telemjekësisë, në spitalet rajonale të Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës etj., ku një pacient nga secili nga spitalet e lartpërmendur mund të konsultohet në distancë nga një mjek konsulent në QSUT. Gjithashtu, Qendra e Telemjekësisë ofron mundësinë që pacientët e QSUT-së, në Tiranë, të mund të konsultohen nga mjekë të spitaleve ose qendrave mjekësore në vende të huaja. Shërbimet e para në QSUT kanë krijuar tashmë partneritete dhe telekonsulta me spitale dhe institute të njohura në Europë dhe SHBA.