Durrës- Ngjarje e rëndë, nënkomisar Arben Pjeçi vetëvritet brenda ambienteve të komisariatit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë të enjten në mbrëmje në komisariatin e Durrësit. Të dhënat e para bëjnë të ditur se është vetëvrarë nën/komisari i policisë së Durrësit, Arben Pjeçi. Ky i fundit mësohet se i ka dhënë fund jetës me armën e shërbimit në ambientet e policisë së qytetit të madh bregdetar.
Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, mësohet se Pjeçi prej disa ditësh ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, pasi i ishte komunikuar pezullimi për disa ditë nga detyra. Ai ishte pezulluar nga detyra për faktin se ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”.
(Nën/komisari i policisë së Durrësit, Arben Pjeçi)
“Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës. Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat. Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit. Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi. Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit. Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal. Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit. Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës. Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.“, njofton policia.
/rtsh.al/