E Martë, 3 Nëntor 2026

Siguria nga zjarret në pallate, Beqaj: Nevojitet certifikim, testim dhe kontrolle periodike

Një pallat u përfshi nga flakët një ditë më parë (24 janar) në Kamëz dhe shkak për këtë dyshohej se u bë një shkëndijë elektrike te kasetat e shpërndarjes. I ftuar në “Jetë Shqiptare” për të diskutuar mbi këtë çështje, ishte inxhinieri i ndërtimit, Gëzim Beqaj. Ky i fundit shprehu disa shqetësime mbi ndërtimet, duke u shprehur se nevojitet certifikim e testim me ngarkesë të plotë para dhënies për banim të ndërtimeve.

Ai u shpreh me tej se kontrollet periodike janë tejet të rëndësishme, ndonëse në Shqipëri, nuk gjejnë zbatim.

“Ne sot në Shqipëri kur bum-i është shumë i madh në ndërtim, nuk kemi një portë hyrëse ku të jetë një autoritet që të thotë: po ky produkt mund të dalë në treg. Ne nuk kemi një mekanizëm që të mundësojë këtë kontroll, evidentim paraprak. Dhe nuk kemi një standard se si merret në dorëzim një vepër inxhinierike. Duhet para se të hyjnë banorët në ndërtim, të certifikohet, të testohet me ngarkesë të plotë.

Dhe më pas të ketë kontroll periodik. Në letra e kemi të qëndisur, por nuk zbatohet. Autoriteti që jep lejen për ndërtim dhe në fund e merr në dorëzim, duhet të sigurojë mbikëqyrje të pavarur. Bashkia do e emërojë. Ajo bashki e ka autoritetin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarit”, tha ai.

Inxhinieri u ndal më tej te tipologjia e ndërtimeve dhe mirëmbajtja në vite. Ai u shpreh se ndërtimet që janë bërë dikur, kanë respektuar normat e atëhershme të ndërtimit, ndërsa sot sipas tij, kjo gjë mungon.

Inxhinieri Beqaj theksoi si ndërtimet e bëra në bregdet nuk do të kenë shumë jetëgjatësi për shkak të kripës së detit, e cila gërryen betonin.

“Ne sot nuk kemi asnjë projekt të përfunduar me detaje kur merret leja. Kur dorëzohet projekti duhet të jetë deri te detaji më i vogël. Kjo ndryshon te gjithçka. Ço projekte për të marrë leje. Projekti çohet për t’u zbatuar. Tipologjia e ndërtimit është tjetër gjë dhe mirëmbajtja në vite. Ndërtimet që janë bërë dikur me normat e atëhershme, i kanë të respektuara.

Ajo që shoh me shumë vërejtje në pjesën bregdetare, pjesa nëntokë do amortizohen me një shpejtësi shumë të madhe sepse pas 30 vitesh, kripa që është në det e shkatërron betonin.

Jetëgjatësia e atyre ndërtesave do ulet nga kripa”, përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›