Durrës/ 4 vite pas tërmetit, pallati ende s’është riparuar, banorët në protestë: Nuk na japin një përgjigje

64 familje të një pallati në lagjen 12 në Durrës ende presin nisjen e punimeve për riparimin e dëmeve të tërmetit. Edhe pse për pak ditë mbushen 4 vjet nga tërmeti i vitit 2019, në pallatin nr 15 puna nuk ka nisur akoma.
Banorët të shqetësuar shprehen se nuk dinën se çfarë të bëjnë në këtë pike që kanë ardhur gjerat, pasi prej 6 muajsh nuk marrin as bonusin e qirasë.
“Ne kemi bërë shumë protesta por nuk na dëgjon njeri. Na gënjejnë. Kryetarja na ka thënë që do fillojmë me fondet tona, tani thonë nuk kemi para. Pallati jonë është i dëmtuar, na kanë prerë dhe qiranë. Ne jemi pensionistë, na kanë lënë rrugëve, kemi 4 vite”, thotë një banore.
“U bënë 4 vite që për pallatin nuk është marrë asnjë masë. Është një top që pasohet sa nga një institucion te tjetri. Pallati është amortizuar, por problem janë edhe vjedhjet. Përveç faktit që nuk kemi shtëpi, ne nuk kemi as bousin. Protesta jonë ka 3 vite që vazhdon dhe e vetmja mënyrë është të vazhdojmë protestat deri sa të marrim një zgjidhje. Kemi kërkuar takime me kryetaren e Bashkisë, por na ka evituar”, u shpreh një banorë.
“Vajtëm te nënkryetari i bashkisë, i thamë kërkesat. Për bonusin na tha që do mundohet të rregullohet. Sa i përket ndërtimit të pallatit tha është e vështirë se nuk ka ardhur fondi”, deklaroi një banore.
“Ne në këto kushte jemi të detyruar të futemi në shtëpi dhe pastaj të mbajë përgjegjësi shteti. Nuk kam se çfarë të bëj, nuk kam lekë ta përballoj më. Do futem në shtëpi. Jemi 60 familje”, tha një tjetër.
Banorët kanë shkuar shume herë ne bashki, kane bërë edhe protesta të shumta për problemin e tyre, por ajo që iu është thënë është se për pallatin do të kërkohet fond i veçantë nga Ministria e Financave.
Pallati ka pësuar dëmtime të shumta të 3 katet e para, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe apartamentet janë vjedhur rregullisht nga hajdutët.
/rtsh/