E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, 42 vjecariu qëllua me automatikvazhdojnë hetimet

DURRES- Policia e Durrësit ka vijuar gjithë natën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe autorët e mundshëm të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Shën Premte të Katundit Sukth në rrethin e Durrësit.
VRASJA
Rreth orës 22. 30 minuta të së martës Ardian Ndue Cela ka qenë në oborrin e shtëpisë së tij kur është qëlluar me armë tip automatik. Të pyetur nga policia banorët e fshatit kanë treguar se kanë dëgjuar breshëri automatiku, c’ka vërtetohet dhe me numrin e madh të gëzhojave që janë gjetur në vendngjarje.
Nga hetimet e para mësohet se autorët kanë qenë në një distancë të afërt kur kanë qëlluar për vdekje 42 vjecarin, babai i dy fëmijëve dhe më pas janë larguar duke përfituar dhe nga errësira.
HETIMET
Sot në mëngjes policia nuk ka patur ndonjë përfundim lidhur me autorët e mundshëm të vrasjes. Ardian Cela merrej prej vitesh me tregti automjetesh.Shkonte jashtë vendit, kryesisht në Gjermani për të blerë mjete të përdorura dhe më pas i shiste në tregun e Durrësit. Sipas policies, të cilave i referohet NEWS24, dy janë pistat e hetimit: Vrasja mund të ketë ndodhur për ndonjë borxh të pashlyer ose pas ndonjë grindje banale.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›