E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Hipoteka, nevojë për arkivë elektronike



ZRPP e Durrësit (apo siç njihet ndryshe Hipoteka) vazhdon të funksionojë ende në shërbimet ndaj qytetarëve, fshatarëve dhe kategorive të ndryshme të biznesit që kryhen në bazë të regjistrave prej letre dhe të arkivës së institucionit e jo me anë të kompjuterave, pasi ato ende nuk janë dixhitalizuar. Nuk punohet ashtu sikurse ngjet në dogana, Drejtorinë e Tatim-Taksave, në Gjendjen Civile, në zyrat e kartave të identitetit e të pasaportave biometrike etj. Çdo proces kërkon kohë për t’u kryer, pasi bazohet te gjetja e dokumenteve të stivuara nëpër raftet e pafundme. Kështu, shërbimi ndaj banorëve në këto kushte shkakton probleme të shumta dhe vonesa të gjata. Klientët e ZRPP-së shprehen: “Duam shpejtësi të veprimeve, sepse na vonojnë në zgjidhjen e problemeve tona”. Aktualisht ZRPP e Durrësit i shërben një popullsie prej 400 mijë banorësh dhe gjysma e tyre jetojnë në qytet e pjesa tjetër në fshat. Për sa u përket mjediseve të punës, institucioni është vendosur në një vend të bollshëm, i cili plotëson hapësirat e nevojshme për administratën si dhe për sistemimin e dokumenteve.

Por realisht zyrtarët e ZRPP-së vazhdojnë të punojnë me regjistra e libra 40-50-vjeçarë dhe të gjitha proceset kryhen në bazë të regjistrave prej letre, duke u bazuar në dokumentet e arkivës. Një procedurë e tillë kërkon orë e ditë të tëra për të gjetur pronat e kërkuara si dhe për të realizuar detyrimet ndaj banorëve apo grupeve të biznesit. Edhe viti 2009 nuk ka mundur të dixhitalizojë arkivën e Hipotekës si dhe sistemin e hartave të territoreve të Durrësit. Hartat shoqëruese të trojeve apo të tokave bujqësore realizohen me dorë dhe nuk bazohen në një sistem qendror hartografie, e cila do të eliminonte gabimet njerëzore të cilat në disa raste kanë çuar deri në mbivendosje pronash. Edhe shoqëritë e ndërtimit, të cilat kanë lidhje direkte me ZRPP-në, shprehen se kanë vonesa shumë të gjata të cilat arrijnë edhe me muaj të tërë për regjistrimin e trojeve që ata sigurojnë për ndërtime pallatesh apo objektesh për biznes. Zyrtarët dhe drejtuesit e ZRPP-së janë të ndërgjegjshëm për proceset e punës, por njëherësh kërkojnë edhe dixhitalizimin e krejt arkivave të atij institucioni.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›