E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bill Clinton, të dielën në Prishtinë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, të dielën, më 1 nëntor, viziton Kosovën. Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij, në sheshin “Bill Clinton”, në Prishtinë. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së qeverisë. Kreu i ekzekutivit premtoi një pritje madhështore për mikun amerikan. Ai tha se Clinton është “njeri i madh, i cili ka bërë shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”. Kryeministri Thaçi po ashtu ftoi qytetarët që të mblidhen të dielën në sheshin “Bill Clinton”. Ndërsa, falënderoi të gjitha qeveritë e SHBA-së për përkrahjen e dhënë popullit kosovar. Po ashtu, u bë e ditur se ish-presidenti Clinton do t’u drejtohet me një mesazh edhe qytetarëve të Kosovës. Vizita e tij në Kosovë, siç tha Kryeministri Thaçi, është e para në Kosovën e pavarur, por jo e para në Kosovën e lirë. Shtatorja trimetërshe e ish-presidentit Bill Clinton është vendosur në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, në fillim të këtij muaji. Zbulimi i saj është shtyrë, për shkak të agjendës së zënë të ish-presidentit Clinton.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›