Durrës-Kukës, PS: Prokuroria të mos heshtë
TIRANË- Partia Socialiste i është drejtuar sërish sot me një apel Prokurorisë për nisjen e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës dhe shembjen e tunelit të Thirrës.
Gjatë një komunikimi me mediat, deputeti i PS-së, Erion Braçe duke ritheksuar abuzimet e shumta në ndërtimin e rrugës dhe koston që shtohet përditë e më tepër ka kërkuar zbardhjen e së vërtetës, lidhur me dëmin e madh ekonomik që i është shkaktuar vendit.
"Ne e konsiderojmë të papranueshme heshtjen e Prokurorisë, e cila nuk duhet të veprojë vetëm në raste vdekjesh. Duam shpjegim se përse Prokuroria nuk bën hetim për këtë krim ekonomik kolosal",ka thënë Braçe.
Fatura financiare për këtë rrugë, sipas Braçes pritet të shtohet edhe më. Ai ka kujtuar se shpenzimet e qeverisë për një kilometër rrugë nuk lënë vend për dyshime lidhur me abuzimin e madh, të cilin ai e ka quajtur si mashtrimin më të madh të 13 viteve të fundit.