E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohet vrasësi i kryekomisarit Adem Tahiraj

Ilir Xhajka, i dënuar nga drejtësia më parë me 21 vite burg, u arrestua në fshatin Shenavlash të Durrësit, i cili është vetëdorëzuar pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë.

Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekimisar Adem Tahiraj, ngjarje që tronditi mbrëmë opinionin publik. Bashkë me arrestimin, Xhajkës iu sekuestrua edhe arma e krimit. Ilir Xhajka është i njohur në botën e krimit, pasi ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, ku është dënuar me 21 vite burg.

Gjykata e Lartë në vitin 2009, ka rrëzuar masën e dënimit të marrë ndaj 38-vjeçarit, pasi sipas vendimit, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka kompetencë të shqyrtojë dhe marrë vendime për krimin me të cilin akuzohej Xhajka. Vendimi kërkonte që gjykimi të zhvillohej në gjykatat e rretheve, konkretisht në atë të Durrësit, e cila i ka dhënë më pas pafajësi Xhajkës.

Në vitin 2006, Xhajka u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 21 vite burg për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Askush nuk e di pse ai u la i lirë më vonë. Në vitin 2007, forcat RENEA arrestuan sërish në plazhin e Durrësit, të kërkuarin Ilir Xhajka, i cili ishte dënuar gjithashtu për vrasjen e shtetasit Rudin Shahini nga Katundi Sukth. Këtë vrasje dyshohet se e kreu për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së xhaxhait të tij. Historia e krimeve të këtij shtetasi nisin që në vitin 1994.

Ai është arrestuar disa herë nga policia edhe për vepra të tjera penale, si posedim armësh, rrëmbim personi, vrasje në bashkëpunim, etj, por askush nuk di të thotë se pse ai u lirua kaq shumë herë nga organet e drejtësisë, për të mbërritur deri tek krimi i fundit, ai i vrasjes së kryekimisar Adem Tahiraj.

-   në vitin 1995 është dënuar me 1 vit burgim për plagosjen e shtetasit Dashamir L.
-   në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentian Gjoka dhe Petrit Lyti.
-   në vitin 1996 është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje serioze për jetën ndaj shtetasit Ylli M.
-   më datë 15.05.2002, ka filluar procedimi për vrasje në territorin e Komunës Katund i ri Durrës.

Ngjarja e mbrëmshme

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 në Katund Sukth të Durrësit, kur u qëllua me disa plumba kryekomisari. Ai sapo kishte dalë në një vëzhgim në terren për arrestimin e personave që mbajnë armë. Gjatë tentativës për të kontrolluar një automjet, komisari u qëllua për vdekje me breshëri automatiku brenda automjetit të tij. Autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Përveç Ilir Xhajkës, si autor i përfshirë në këtë ngjarje dyshohet të jetë edhe Ledio Krasniqia, nipi i 38-vjeçarit. /S.Ll/Start/

Vritet shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj

                                                                                             2012-09-14 09:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›