Durrës, dhunë brenda universitetit
Pedagogu qëllon sekretaren se i vuri mungesë. Heton prokuroria, por jo Këshilli i Etikës
Vali Qyrfyçi
Fyerje dhe goditje për shkak të detyrës në ambientet e Universitetit të Durrësit, prokuroria nis hetimet. Një pedagog ka fyer e goditur me pëllëmbë një punonjëse të administratës së Universitetit Aleksandër Moisiu për shkak të detyrës, rast për të cilin Prokuroria e Rrethit të Durrësi ka nisur hetimet në bazë të denoncimit të marrë mbi ngjarjen, duke vënë nën akuzë pedagogun e Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike, Hysni A. Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën burime nga Prokuroria e Durrësit, të cilat konfirmohen dhe nga burime brenda universitetit.
Prokuroria e Durrësit ka nisur procedimin, pas padisë së bërë nga sekretarja e universitetit
Ndërkohë Këshilli i Etikës që funksionon pranë Aleksandër Moisiut nuk e ka marrë në shqyrtim këtë rast flagrant. Sipas drejtueses së Këshillit të Etikës, që përbëhet nga pesë anëtarë, Fatbardha Kadiu, nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me këtë çështje dhe këshilli nuk e ka në kompetencën e vet të ndërmarrë nisma për shqyrtimin e rasteve të këtij lloji pa një ankesë paraprake që duhet bërë nga titullarë të departamenteve, fakulteteve apo universitetit.
Ka qenë një procedurë rutinë e vendosur muajt e fundit në këtë fakultet që ka të bëjë me listë-pjesëmarrjen dhe firmosjen e saj nga pedagogët për çdo ditë pune, si dhe verifikimet e bëra përmes ushtrimit të kontrolleve për praninë e pedagogëve në universitet që ka çuar në marrjen e një mase disiplinore dhe financiare ndaj njërit prej pedagogëve. Konstatimi i heqjes së një dite pune dhe njoftimi për të ka irrituar pedagogun, i cili nuk është përmbajtur dhe është drejtuar për në zyrën e sekretares së dekanit, duke e sulmuar me të shara dhe goditur me pëllëmbë. Goditja e parë nuk është pasuar nga një e dytë, por gjakrat mësohet se janë acaruar tej mase me marrjen në dijeni nga familja e sekretares mbi ngjarjen e rëndë, ndërsa ajo ndodhej në detyrë e sipër dhe u godit për shkak të kryerjes së saj. Megjithatë e dëmtuara vendosi ta ndjekë çështjen në rrugë gjyqësore, duke bërë kallëzim pranë autoritetit të akuzës mbi rastin. Mësohet se ngjarja ka pasur reagime jo të pakta dhe burime të pakonfirmuara deklarojnë se është kërkuar që akuza të tërhiqet.
Mostërheqja e akuzës së ngritur ndaj njërit prej pedagogëve të Fakultetit Juridik ka vënë në lëvizje pedagogë të tjerë, përfshirë dhe pedagogun nën akuzë, të cilët i janë drejtuar Këshillit të Etikës së universitetit me një ankesë për viktimën e fyerjes dhe goditjes. Ankesa e hartuar nga një grup pedagogësh të Fakultetit të Shkencave Politike Juridike përmban pakënaqësitë ndaj sekretares së dekanit të këtij fakulteti, që sipas tyre cenojnë komunikimin korrekt dhe kapërcejnë detyrën. Në mbledhjen e fundit të kryer nga Këshilli i Etikës këtë javë është pranuar ankesa, ndërsa sipas Kadiut do të shqyrtohen pretendimet e ngritura në të dhe më pas do të dilet me një vendim a sugjerim. Në këtë mënyrë protagonistët e këtij konflikti janë vënë përballë njëri-tjetrit përballë organeve të ndryshme, ku më i rëndësishmi mbetet hetimi i prokurorisë. Situata është e tensionuar, ndërkohë që pritet dhe reagimi zyrtar i rektorit të universitetit ndaj këtij rasti.
Universiteti
Procedim viktimës
Meqenëse nga strukturat e fakultetit nuk pati ankesë, Këshilli i Etikës në Universitetin Aleksandër Moisiu nuk u mor fare me aktin e dhunës brenda institucionit. Përkundrazi, me kërkesë të disa pedagogëve, i njëjti këshill ka pranuar të shqyrtojë sjelljen e sekretares së dhunuar
Ligji
Deri tre vjet burg
Goditjet apo vepra të tjera dhune që u bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore a një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa për veprën penale të fyerjes për shkak të detyrës, Kodi Penal parashikon dënimin me gjobë ose me burgim deri në një vit.