Ina Rama takon Leskajn për dosjet e pushuara
Marrëveshja
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka takuar dje kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, pas një sërë akuzash të ndërsjella që institucionet kanë lëshuar ndaj njëra-tjetrës në vitet e fundit. Zyrtarisht, akuza thotë se u vlerësua puna e përbashkët kundër korrupsionit, ndërsa u diskutua edhe rritja e bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy institucioneve, megjithëse KLSH-ja ka pretenduar se prokuroria ka mbyllur një sërë kallëzimesh të këtij institucioni. Në një deklaratë të mëvonshme, organi i prokurorisë do të pohonte se KLSH-ja nuk kishte bërë asnjë kallëzim në prokurori. U trajtuan edhe problematika të ndryshme për çështje të veçanta si nga ana e prokurorisë ashtu edhe të KLSH, zgjidhja e të cilave ndikon në rritjen e efikasitetit të rezultateve kundër këtyre fenomeneve negative të shoqërisë. U diskutua gjithashtu për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy institucioneve, thanë burimet nga akuza qendrore.
Dy ditë më parë, KLSH bëri kallëzime në prokurori për dhjetë zyrtarë të dy ministrive, asaj të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe asaj të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Zyrtarët akuzohen për shkelje të procedurave të prokurimit për disa fushata publicitare të dy ministrive. Mes të kallëzuarve janë tre zyrtarë të lartë, një shef kabineti dhe dy drejtorë të drejtorisë në Ministrinë e Punës.
Ina Rama takon Leskajn për dosjet e pushuara burimi: Gazeta Shqip