Lushnje, vetëhelmohet autori i vrasjes së dyfishtë
32-vjeçari Erjon Cjapi ndërron jetë në spital. Piu fotoksinë përpara së të arrestohej nga policia

Lokali ku ndodhi vrasja e dyfishtë
Ndërron jetë në spitalin e Lushnjës, 32-vjeçari Erjon Cjapi, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të ndodhur javën e kaluar në fshatin Toshkëz, të Lushnjës. Në momentin e arrestimit, mbrëmjen vonë të së enjtes, i riu ka konsumuar një sasi të konsiderueshme fotoksine.
Uniformat blu e kanë transportuar me urgjencë për në spitalin e qytetit, por megjithë përpjekjet e bluzave të bardha, 32-vjeçari ka vdekur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm.
Cjapi dyshohet se mbrëmjen e datës 12 maj ka vrarë 27-vjeçaren Rajmonda Sota dhe ka plagosur rëndë 24-vjeçarin Marsel Cani, i cili ka ndërruar jetë në spital. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në një prej bareve të fshatit Toshkëz, ku viktima, 27-vjeçarja Rajmonda Sota ishte e punësuar si kamariere. Burimet thanë se e reja ka qenë duke qëndruar në një tavolinë së bashku me 24-vjeçarin Marcel Cani, kur aty ka mbërritur ish-i dashuri i saj, Erjon Cjapi 32-vjeç, banor i fshatit Delisufaj, të rrethit të Lushnjës. Ata kanë shkëmbyer fjalë ofenduese me njëri-tjetrin dhe 32-vjeçari është irrituar duke u larguar për tu kthyer pas pak i armatosur. Cjapi ka shkuar në autoveturën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip Kallashnikov e ka shtënë me breshëri në drejtim të Sotës dhe të djalit 24-vjeçar. Si pasojë ka mbetur e vdekur në vend 27-vjeçareja Sota dhe është plagosur rëndë 24-vjeçari Cani, që të dy banorë të fshatit Toshkëz. Pas ngjarjes autori arriti ti fshihet policisë për rreth pesë ditë. Mbrëmjen e djeshme është lokalizuar vendi ku ndodhej 32-vjeçari, pranë fshatit Toshkëz, ku dhe ndodhi vrasja e dyfishtë. Por i riu ka arritur të konsumojë një sasi fotoksine përpara së të prangoset nga uniformat blu të Lushnjës.
18 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Lushnje, vetëhelmohet autori i vrasjes së dyfishtë burimi: Gazeta Shqip