E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, guida“Artemisa në Durrah”vjen në tre gjuhë

DURRëS- Guida "Artemisa në Dyrrah" ka dalë këto ditë në qarkullim në gjuhët shqipe dhe angleze, duke rritur kështu interesimin e publikut për figurinat prej balte të ekspozuara në muzeun arkeologjik të Durrësit. Prof. Fatos Tartari, bashkëdrejtues i projektit franko-shqiptar për studimin dhe restaurimin e figurinave të zbuluara në fillim të viteve 1970 tha se dy botimet e fundit vijnë pas publikimit vitin e kaluar të kësaj guide në gjuhën franceze.

Guida "Artemisa në Dyrrah" sjell materiale të përgjithshme mbi historinë e qytetit antik, duke u ndalur veçanërisht në gërmimet e arkeologut Vangjel Toçi në Kodrat e Dautes ku gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 ton objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Një pjesë e këtyre objekteve janë ekspozuar në muzeun e ri arkeologjik të Durrësit.

Prof. Tartari tha se që nga viti 2003 një mision i përbashkët franko-shqiptar po punon për për përgatitjen e një botimi të plotë të gjetjeve në Kodrën e Dautes, pranë së cilës sipas të gjitha gjasave ndodhej sanktuari i hyjnisë së Artemisës. Projekti që po zbatohet nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, Shkolla franceze e Athinës dhe Universiteti i Lilës (Francë) është vlerësuar me çmimin e parë CLIO 2005, çmim që mundësoi edhe botimin e fashikullit të guidës në gjuhën shqipe.

Në 28 faqet e guidës së publikar tashmë në tre gjuhë ka informacion të bollshëm mbi jetën ekonomike e sociale të qytetit ilir të Durrësit, foto të objekteve arkeologjike si dhe planimetri të vendndodhjeve të monumenteve kryesore të zbuluara apo që ndodhen nën sipërfaqe në qytetin 3000-vjeçar. Botimi i guidave është mundësuar nga mbështetja financiare e Ambasadës së Francës në Tiranë.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›