E Diel, 1 Nëntor 2026

Mund të pretendojmë mirësjellje?

Sezoni turistik ka nisur dhe vendet më të bukura të Shqipërisë kanë hapur krahët të presin pushuesit: shqiptarë e të huaj. Ne akoma nuk e kemi kuptuar mirë se në ç’vend jetojmë realisht, se ç’do të thotë të kalosh në të vërtetë në pak kilometra distancë nga Lugina e Valbonës, te plazhet e nxehta dhe plot jod të Shëngjinit, nga Thethi në Liqenin e Shkodrës, nga Borshi në Dardhë e Voskopojë.

Mund t’i kemi plot gjëra zili italianëve, francezëve, gjermanëve... por ama ata duhet të djersisin më shumë në autostrada, trena e aeroporte për të bërë qindra kilometra udhëtim në destinacionet turistike brenda vendit të tyre. Thënë kjo, të gjithë i dimë pastaj defektet alla shqiptarçe të infrastrukturës së pushimeve, por një gjë që është falas duhet ta pretendojmë e ta kërkojmë: mirësjelljen. Një mikes sime i qëlloi për të dytin vit rresht të kalonte pak ditë në një plazh buzë Adriatikut, në dy struktura të ndryshme hotelerie. Nuk u kthye në të njëtin vend ku ishte një vit më parë, pasi pronarët dhe personeli nuk ishin të sjellshëm: nuk u buzëqeshnin njëherë, nuk u thanë “mirëseerdhët” dhe ndonjë kërkese për më komoditet për të moshuarit apo fëmijët e familjes, i përgjigjeshin me bezdi e përtesë. Këtë vit ndryshuan destinacion: i njëjti plazh, por dy hotele më tutje: Mirësjellje totale, disponibilitet ndaj nevojave të papritura që një familje mund të ketë (një jastëk më shumë, një termometër, apo një mjek pediatër të gatshëm).

Dua ta mbyll me pak rreshta nga ç’më shkruan në mail shoqja ime: “Nga dhoma e hotelit tim admiroja e shplodhur dhe e kënaqur perëndimin, - më shkruan mikja ime, pushuese e përhershme qershori, - ndërsa fëmijët vazhdonin të luanin në këndin e bukur dhe të sigurtë të lodrave. Nuk mund të fsheh një të qeshur të lehtë e kënaqësi që më kapi, ndërsa shihja bosh e të trishtuar hotelin e vitit të shkuar. Mendova se të gjithë duhet ta pretendojmë mirësjelljen e të mos kthehemi më asnjëherë aty ku janë kurrnacë ta japin”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›