E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deti Jon, si lumi Jance

Thuhet shpesh që bota nuk është aq e madhe sa ç’e mendojmë. Dhe në ditët tona, kur veçanërisht teknologjitë e
komunikimit kanë përparuar në mënyrë të habitshme, kjo thënie është po kaq e vërtetë sa edhe pohimi i antropologëve se, të gjitha shoqëritë ndryshojnë. Ashtu sikurse, në dallim nga plot teori që konsiderohen reaksionare, si ato që propagandojnë racizmin etj, argumentohet shkencërisht që tërë njerëzit biologjikisht janë njësoj. Korrelacione të tilla provohen kudo me shembuj nga jeta e përditshme e plot vendeve dhe popujve. Jo vetëm e atyre që gjeografikisht dhe historikisht fati i ka vendosur pranë njëri-tjetrit, por edhe kur distancat e mëdha në këto plane kanë efektin e tyre.
Tani le shpjegojmë sesa tepër larg dhe njëherazi, sesa shumë pranë janë dy njësi gjeografike të veçanta. është fjala për lumin Jance në Kinën e Azisë së Largët dhe për detin Jon që ndan tre vende në Europën Jugore. I pari, ndonëse i lundrueshëm, lumë thirret, si shumë të tillë në të pesë kontinentet. I dyti, ndonëse rrethon disa ishuj dhe ka ngushticat e veta, det thirret, nëpër të cilin lundrojnë edhe anije të tonazheve të mëdha.
Por, ajo që i ka bashkuar nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet për shumë dekada rresht, si diplomatike, edhe ekonomike midis dy vendeve që lagen nga këto njësi ujore, pra, Kinës dhe Shqipërisë. Aq sa, për vite të tëra, anijet e së parës deri në pranimin e saj në OKB lundronin me flamurin shtetëror të së dytës, dhe kjo e fundit përfitonte në masë, krahas ndihmave financiare, makineri të rënda dhe mallra të prodhuara në vendin me popullsinë më të madhe të botës, përpara se këto produkte të pushtonin gjerësisht, tregjet e mëdha të të gjithë rruzullit.
Pra, ato që i janë shtuar vitet e fundit katalogut të këtyre marrëdhënieve kanë të bëjnë me ca ekspozime të Kryeministrit tonë aktual, në raport me Kinën e lashtë. Sefte, nuk mbeti pa u propaganduar që politikani shqiptar gjatë një vizite atje ua kaloi disa homologëve të tij të huaj në ngjitjen e Murit Antik, duke u nderuar prej Pekinit edhe me një dekoratë për këtë akt heroik. Dhe të mos harrojmë, se për të shkuar te fshati i thellë malor ku lindi dhe u rrit ky politikan duhet kaluar nëpër ca skërka që të shpien në lartësi jo të vogla alpine. Kështu që, edhe kjo nuk mund të mos konsiderohet një referencë e bashkimit mes dy vendeve tona.
Megjithatë, me sa u duk, kjo nuk mjaftonte. Ka nja dy vjet që, siç ka shpallur kabineti i Kryeministrit tonë, ky qëndron për një kohë të gjatë brenda në ujë. Në bregdetin e Jonit verior (Dhërmi) vjet u pllaqurit për 123 minuta rresht, ndërsa pak ditë më parë e theu rekordin e tij me 4 minuta më tepër. Një konkurrencë ambicioze me ish-liderin komunist kinez, Mao Ce Dun, i cili 44 vite më parë përshkoi me not për plot 65 minuta 15 milje në lumin Jance. Atëherë, më 17 korrik të 1966-s, ish- Kryetari Mao qe afro 73 vjeç, ndërsa tani Kryeministri ynë është afro një dekadë më i ri. Ndoshta, ky ndryshim në moshë i jep këtij të fundit avantazhin për të qëndruar brenda në ujë për një kohë më të gjatë.
Por, kjo nuk ka shumë rëndësi. Ajo që i vë disa shqiptarë më tepër në mendime është lajmi i dhënë nga brigjet e Jonit, sipas të cilit, Kryeministri Berisha ka një objektiv më impresionues: të kapërcejë me not ato milje që përshkojnë Kanalin e Korfuzit. Atëherë, nëse është në gjendje ta bëjë këtë show, përse nuk e ka bërë akoma? Mos pret të marrë fuqi më të mëdha? Apo ende nuk janë bërë gati polumbarët që duhet ta mbajnë në kurrizet e tyre gjatë Kanalit të Korfuzit, ashtu siç ndodhi atëherë në Jance me ish-Kryetarin Mao?
Sidoqoftë, të gjitha këto njoftime, si edhe disa paralelizma që vetvetiu vihen në një distancë ajrore prej mbi 15 mijë kilometrash midis Shqipërisë së vogël dhe Kinës së madhe, nuk mund të emetoheshin nga ca nëpunës të Kryeministrisë, pa konfirmimin apo hartimin e shefit të tyre. Të këtij shefi, i cili pak ditë përpara se të niste vjet ‘kampionatin” vetjak dhe në prag të zhvillimit të zgjedhjeve shumë të kontestueshme parlamentare jepte intervista nëpër gazeta, duke i siguruar shqiptarët më këtej dhe m‘andej kufirit se, ai do të qëndronte kurdoherë në krye, mbase për 30, 35 vjet, derisa ta shkëpuste prej këtij pozicioni ai i Madhi, që i qëndron mbi krye tërë planetit. Të këtij shefi, i cili një vit më vonë thyen rekordin përsëri në “kampionatin” vetjak dhe piketon një aventurë delirante pikërisht në vigjilje të një periudhe të vështirë për tërë vendin dhe për karrierën e atij vet.
Këtyre ditëve “euforike” u përket edhe publikimi i një raporti për situatën ekonomike dhe politike në Shqipëri, të hartuar nga një kompani britanike (www.companiesandmarkets.com), e cila njihet si konsulente e qeverive të disa vendeve me peshë, sikurse edhe e plot konsurciumeve të rëndësishme ndërkombëtare. “Perspektivat e Shqipërisë për të ecur më tej në përpjekjet e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian po pakësohen në mënyrë të vazhdueshme, si pasojë e aftësive minimale të qeverisë për të adaptuar reforma ligjore dhe rregullatore për mjedisin e biznesit.” – lexohet midis të tjerash në këtë raport, ku nuk mundojnë edhe prognoza të zymta, si: “...ndoshta nga fundi i vitit ka mundësi të arrihet një marrëveshje për ndarje të pushtetit”, apo: “nuk mund të përjashtojmë mundësinë që bllokimi të vazhdojë, me një rritje të mëtejshme të rreziqeve për trazira publike në shkallë të gjerë”.
Megjithatë, tek e fundit, na mbeten edhe afro tri javë nga ky muaj i pushimeve, të cilat i shtyjnë njerëzit tanë të mbahen me ca gajret dhe nga ato që dëgjojnë e shohin prej brigjeve të Jonit, në mos të gajasen, së paku të nënqeshin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›