E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, motoristi me skafandër qëllon mbi autobusin, plagoset shoferi dhe një mjeke

DURRËS- Dy persona kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Ngjarja u shënua mëngjesin e sotëm rreth orës 7:00 në rrugën e re të Kënetës në Durrës.

Nga hetimet paraprake mësohet se një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri tip automatik, në drejtim të autobusit që transportonte punëtorët  drejt ndërmarrjes së rrobaqepësisë  ‘Filanto’. Si pasojë kanë mbetur i plagosur rëndë shoferi i autobusit Albert Gjeci dhe mjekja Xheni Doka, e cila ka marrë plagë të lehta në krah.

Sipas dëshmitarëve të traumatizuar që kanë parë gjithë skenën autori i plagosjes, i cili ishte i pajisur me skafandër, pasi ka qëlluar në drejtim të autobusit është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, ku mësohet se gjendja e drejtuesit të mjetit Albert Gjeci, 47-vjeç lindur në Spitallë dhe banues në lagjen 4 në Durrës është e rëndë,  pasi ai është shtruar me urgjencë në reanimacion, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkohë, mjekja Xheni Doga ndodhet në gjendje më të mirë pasi ka marrë plagë të lehta në krah.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes dhe objektivi i të shtënave me armë, ndërkohë policia ka nisur hetimet për kapjen e autorit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›