Durrës, në 840 kilometër katror sipërfaqe det, zbulohen 2 miliardë fuçi naftë
Kompania e naftës dhe gazit San Leon Energy deklaroi se ka nënshkruar me qeverinë Shqiptare kontratën për zgjatjen e afatit të licencës për eksporime për naftë në det të hapur në bllokun shqiptar të Durrësit. Kontrata e re hyn në fuqi që nga 31 korriku. Zgjatja e afatit të kontratës, e cila i jep kompanisë plot dy vite për të filluar operacionet e shpimit, u bë efektive pasi morri miratimin e qeverisë dhe u publikua në Gazetën Zyrtare, tha San Leon Energy në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të saj. Sipas marrëveshjes së mëparshme, kompania kishte afat për të kryer operacionet e shpimit në det të hapur deri në vitin 2013. Kompania San Leon Energy zotëron 100% të aksioneve të Bllokut të Durrësit, i cili mbulon 4.200 kilometra katrorë sipërfaqe të bregdetit shqiptar. Pas studimit 3-dimensional, të filluar në prill 2011,të një teritori nënujor të shtrirë në rreth 840 kilometër katror sipërfaqe në zonën e Durrësit, kompania San Leon ka identifikuar një sasi të konsiderueshme të materialeve me përmbajtje nafte që arrijnë deri në dy miliardë fuçi nafte ekuivalent. Çmimi i një fuçije naftë e cilësisë ËTI në bursat ndërkombëtare është rreth 104.77 dollarë për fuçi.