Qeveria miraton projektligjin për TVSH-në
Në mbledhjen e djeshme, qeveria në detyrë miratoi një ligj të ri për tatimin mbi vlerën e shtuar, një ligj që integron në një draft çdo ndryshim të 17 viteve të fundit dhe e sjell atë në përputhje me direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian. Ky draft do të shqyrtohet nga legjislatura e ardhshme, me shumicë të majtë, e cila do të gjejë atje të përfshirë edhe vendimet e para pak muajve te qeverisë Berisha për heqjen e TVSH-së mbi çdo makineri dhe pajisje që nevojitet për prodhim.
Deklarata
Duhet që të gjitha vendimet e marra për përjashtimet e makinerive për prodhim dhe të gjitha llojet e materialeve që përdoren për prodhim duhet të pasqyrohen përpara se ky të shkojë në parlament, pastaj shumica e ardhshme mund të marrë vendimet e veta, por ne do ta çojmë në përputhje të plote me qëndrimet që kemi mbajtur, deklaroi kryeministri Berisha. Po në mbledhjen e djeshme qeveria e cila po zhvillon mbledhjet e saj të fundit, miratoi dje edhe kuotat për pranimin e të rinjve në universitete, duke ndjekur, sipas kryeministrit Berisha, politiken e dyerve të hapura. Natyrisht, në vitet që vijnë ka një platforme tjeter të qeverisë, platformë që synon rikthimin tek praktikat e vjetra të pranimeve universitare, por këtë platforme ne do ta kundërshtojmë me të gjitha praktikat dhe mjetet ligjore. Çdo qeveri ka të drejtë të marrë vendimet që do dhe të përballet me pasojat e tyre, theksoi kryeministri në detyrë, Sali Berisha. Qeveria vendosi edhe për shpronësimet që preken nga ndërtimi i linjave që lidhin Kaskaden e Devollit me sistemin e transmetimit shqiptar. Duke theksuar se ky është investimi më i madh privat në të gjithë historinë e Shqipërisë, kryeministri Berisha vuri në dukje rëndësinë e ndërtimit të Kaskadës së Devollit jo vetëm për punësimin e shqiptarëve, por edhe për të ardhmen energjetike të Shqipërisë