Durrës, nis verifikimi i tokave të përfituara nga familjet e përmbytura nga Fierza

Prefektura e Durrësit ka nisur verifikimin e të gjithë sipërfaqes së tokës që kanë përfituar banorët e shpërngulur nga zonat veriore që u përmbytën nga ndërtimi i liqenit të Fierzës. Burime nga komisioni që merret me verifikimin e titujve të pronësisë pranë prefekturës kanë bërë të ditur se zona që është pjesë e territorit të komunës së Katundit të Ri në Durrës do të verifikohet për shkak se numri i ankesave në këtë zonë është tepër i lartë.
Problemi kryesor duket se është fakti se toka që kanë përfituar banorët e zonave të Kukësit e Tropojës pas vendimit të Këshillit të Ministrave, gjendet fare pranë zonës industriale në Porto Romano dhe një gjë e tillë mund të jetë bërë shkas për abuzime me tokën. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr 306 të vitit 1994 në fshatin Rinia, pranë brezit me pisha në Katundin e Ri, në veri të qytetit të Durrësit janë vendosur një numër i konsideruar familjesh që kanë ardhur nga zonat veriore të vendit pas përmbytjeve të fshatrave të tyre nga liqeni i Fierzës. Shpallja zonë industriale ka rizgjuar interesimin e banorëve por sipas pohimeve që janë bërë nga komisioni i verifikimit të titujve të pronësisë pranë prefekturës, asnjëri prej tyre nuk ka tokë të regjistruar në hipotekë. Të 127 familjet që kanë ardhur nga veriu kanë të njëjtin problem dhe do të duhet të presin daljen e udhëzimeve të reja. Titujt e pronësisë në këtë pjesë të bregdetit, sipas drejtuesve të komisionit, nuk do të ndikojë në ndëshkimin e banorëve të përmbytjes. Por nga ana tjetër atyre do u duhet të kenë certifikatën e pronësisë, e cila tashmë duhet të kalojë në të tjera procedura. Shumëkush në këtë zonë ka blerë e shitur tokë pa dokumente ligjore dhe kjo është pjesa më delikate e problemit, pasi blerësit do të ndeshen me hartën e zonës ekonomike me zhvillim të shpejtë industrial. Gjithsesi, mbetet për të pritur udhëzimet e javës së ardhshme të komisionit qendror për të mësuar se çdo të ndodhë me ato familje që kanë shitur tokë apo edhe blerë tokë jashtë procedurave ligjore. Një pjesë e këtyre banorëve që kanë pasur emrin në listën e përfituesve kanë nxituar pa pritur ndërhyrjen e shtetit. Kjo kategori ka blerë vetë tokë pranë bashkëfshatarëve të tyre dhe kanë ndërtuar shtëpi. Edhe kjo sipërfaqe toke do të jetë objekt verifikimi i titullit të pronësisë nga komisioni. Nga qarkun e Kukësit kanë përfituar të drejtën për të marrë tokë në bregdetin e Durrësit 400 familje, tokat e të cilëve janë përmbytur nga hidrocentrali që u ndërtua mbi liqenin e Fierzës. Familjet e mësipërme janë nga Kukësi, Hasi, Tropoja dhe Puka. Ata kanë përfituar nga 1800 m2 tokë si familje në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 306, në vitin 1994. Sipërfaqja në fjalë është vendosur të afrohet në veri të qytetit të Durrësit, në fshatin Rinia të komunës Katund i Ri, kreu i së cilës është vënë në dijeni zyrtarisht për VKM e vitit 1994. Specialistë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, deputetë dhe drejtues të shoqatës së të përmbyturve nga liqeni i Fierzës pasi kanë parë nga afër kushtet që afrohen në disa zona kanë vendosur ta pranojnë këtë pjesë të bregdetit si zonën më të mundshme për sistemimin e 400 familjeve. Por komisionet nga ministria, shoqata e të përmbyturve, njësitë lokale të zonave të prekura nga hidrocentrali dhe komisione të familjeve kanë shëtitur edhe në Lushnjë, Kavajë, Fier, Lezhë për të gjetur parcela me sipërfaqe të mëdha ngase pas 400 familjeve do të kishte të tjerë në listë që prisnin zgjidhje. Fill pas vendimit nisi edhe transferimi i familjeve të para drejt bregdetit të Durrësit. Sipas burimeve nga prefektura e Durrësit vetëm 127 familje janë shpërngulur dhe vendosur në fshatin Rinia, kurse pjesa tjetër e mbetur prej 273 familje edhe pse është në listë, nuk është transferuar. Edhe të shpërngulurit janë ndeshur me një sërë problemesh dhe konkretisht me çështjen e legalizimit të dokumentacionit për tokën bujqësore e tokën truall. Nga 127 familjet që janë vendosur në Katrund të Ri vetëm 15 prej tyre kanë përfituar tapinë nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në Durrës. Qeveria e asaj kohe ka vendosur që lëvizja të nisë me 200 familjet e para dhe pak kohë pas tyre edhe 200 familje të tjera, por një gjë e tillë prej 14 vitesh është zvarritur. Fill pas vendimit 306 të KM, ka dalë edhe vendimi 413 që detyronte familjet përfituese të pajiseshin me vërtetim pronësie të tokës së përmbytur, vërtetim nga kadastra në rrethet përkatëse që nuk kanë përfituar tokë dhe nga pushteti vendor që janë banorë të njësisë administrative të tyre. Një gjë e tillë deri tani nuk ka ndo9dhur, për arsye se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka pranuar të pajisë këta banorë me çertifikatën e pronësisë.