Heqja e imunitetit të deputetit Neranxi, ka mbërritur në Kuvend
Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në seancën plenare të ditës së djeshme, informoi deputetët për mbërritjen në Kuvend të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për heqjen e imunitetit të deputetit të grupit parlamentar E majta për Integrim, Nikollaq Neranxi. Rregullorja e Kuvendit parashikon shqyrtimin e kërkesës nga Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, që më pas harton një raport që ia përcjell parlamentit për votim.
Kërkesa e Prokurorisë, e publikuar më 13 mars, erdhi pas dyshimeve të organit qendror të akuzës për kontrabandë mallrash nga ana e deputetit Neranxi. Ky i fundit u padit penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme, në janar të vitit 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Si posedues i një subjekti privat të tregtimit të lëndëve ushqimore, Nikollaq Neranxi dyshohet se ka bërë kontrabandë mallrash me vlerë mbi 13 milion lekë të reja. Pas shqyrtimit të materialit kallëzues, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit leje për të ushtruar ndjekjen penale ndaj deputetit të LSI-së.