Durres plagoset me arme zjarri i riu

I riu Ervis Ceka me banim në Shkozet të Durrësit ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij. Ai është qëlluar me armë zjarri të tipit pistoletë në afërsi të një prej qendrave tregtare të Durrësit nga persona ende të paidentifikuar që kanë shfrytëzuar trafikun e rënduar në këtë rrugë.
Fillimisht e kanë goditur mjetin e Cekës për të ndalur lëvizjen e tij dhe kanë realizuar krimin. Menjëherë më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa i plagosuri është dërguar në spitalin e qytetit ku i është dhënë ndihma e parë.
Gjendja e tij është kritike dhe kjo i ka detyruar mjeket ta nisin drejt Spitalit Ushtarak për një ndihmë më të specializuar, ndërkohe që shërbime të shumta policie janë vënë në lëvizje për të zbardhur ngjarjen dhe identifikuar autorët e saj.
Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët si dhe përplasjen e makinës së të plagosurit me një tjetër automjet që ndodhej para tij.