E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, sekuestrohet 500 kg kanabis sativa

Gazeta Shqip

Një sasi e konsiderueshme bimë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar natën e së hënës në portin detar të Durrësit.

Shërbimet e policisë kufitare kanë goditur një tjetër rast të trafikut të lëndëve narkotike drejt shtetit fqinj Italisë, por në pranga është vënë vetëm transportuesi i saj, drejtuesi i kamionit, Besnik Celcima, 49 vjeç nga Romanati.

Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se sasia prej mbi gjysmë kuintali lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u gjet e fshehur mes paletave me tulla në një kamion të një kompanie të njohur transportesh.

Kamioni është bllokuar teksa po kryente procedurat e imbarkimit në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Gjatë kontrollit të ngarkesës është zbuluar sasia që paraprakisht deklarohet të jetë mbi 500 kg dhe autoritetet kufitare kanë ndaluar menjëherë drejtuesin e mjetit ndaj të cilit rëndon akuza për trafik lëndësh narkotike.

Mësohet se policia kufitare ka marrë një informacion në rrugë operative lidhur me ngarkesën e dyshimtë në këtë mjet dhe vazhdojnë hetimet për të zbuluar poseduesin real të drogës me destinacion Italinë, duke nisur nga firma eksportuese, ajo e transportit, stivuesit, si dhe drejtuesi i kamionit.
18 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)

Durrës, sekuestrohet 500 kg kanabis sativa burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›