E Diel, 1 Nëntor 2026

“Xhakja”, nisin hetimet ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku

Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se hetimet kanë nisur për “shpërdorim detyre”, pasi pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Durrës më datën 19.11.2010, Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Durrës ka përfunduar përfaqësimin e akuzës ne ngarkim të shtetasit Ilir Xhakja, i akuzuar për veprat penale të vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim të shtetasit Qerim Maloku dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria kërkoi 24 vite burgim për Xhakjën. Këtë kërkesë prokuroria e ka paraqitur në të gjitha shkallët e gjykimit të shtetasit Ilir Xhakja, si dhe në Gjykatën e Lartë ku çështja u rikthye sërish në Gjykatën e shkallës së parë për mos kompetencë.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e shpalli vendimin e saj për këtë çështje me numër 98, datë 9.2.2011, duke e deklaruar të pafajshëm shtetasin Ilir Xhakja për veprën penale të parashikuar nga neni 78/1 -25 dhe duke e pushuar çështjen ndaj tij për vepren penale të parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal. Ne seancën gjyqësore vendimi nuk u dha i arsyetuar dhe as i zbardhur. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës e apeloi vendimin nr.98, date 9.2.2011 megjithëse vendimi nuk ishte vënë në dispozicion i arsyetuar”, bën me dije Prokuroria e Përgjithshme.

Ngjarja për prokurorinë u risoll në kujtesë pas vrasjes së shefit të Komisariatit të Policisë Shijak, Z.Adem Tahiraj në fshatin Katund –Sukth të rrethit Durrës, ku autor ishte shtetasi Ilir Xhakja, i deklaruar i pafajshëm vitin e shkuar nga Gjykata e Durrësit.

“Pas arrestimit te te dyshuarit Ilir Xhakja dhe informimit ne lidhje me ecurinë e çështjes së ankimit të vendimit nr.98 datë 9.2.2011 rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende te shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretarinë gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, qysh prej datës së shpalljes se vendimit”, thuhet më tej.

Në këto rrethana, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal i mësipërm ndaj shtetasit  Neritan Tabaku për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me mos zbardhjen dhe mos depozitimin brenda afateve ligjore të vendimit gjyqësor penal nr.98, datë 9.2.2011, duke cenuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohe ndaj shtetasit Ilir Xhakja dhe të dhënies së drejtësisë. /Start/

                                                                                             2012-09-17 17:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›