E Diel, 1 Nëntor 2026

Durres, shtëpia e foshnjës, "bum" birësimesh nga të huajt

Sipas statistikave, rreth 70 për qind e fëmijëve të birësuar në këtë institucion janë birësuar nga të huajt. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2008 nga kjo shtëpi janë birësuar gjithsej 8 fëmijë. 

DURRËS Shtëpia e Foshnjës në qytetin bregdetar të Durrësit, ku akomodohen fëmijë të braktisur prej prindërve biologjikë, po shërben kohët e fundit si një nga institucionet më të pëlqyera për birësimin e krijesave të pafajshme.
Burime për "Gazeta Shqiptare" konfirmojnë se më të interesuarit për birësime në këtë institucion vazhdojnë të jenë shtetasit e huaj. Sipas statistikave, rreth 70 për qind e fëmijëve të birësuar në këtë institucion janë birësuar nga të huajt.
Ndërsa nga të akomoduarit në këtë jetimore, janë kthyer në familjen e tyre biologjike vetëm 2 fëmijë. Në qytetin bregdetar historikisht funksionon Shtëpia e Foshnjës, e cila mbulon të gjithë territorin e vendit tonë me shërbimet që ajo ofron.

Ne jetimoren ku ndodhet në Shkozet të Durrësit trajtohen 45 fëmijë, prej të cilëve 25 janë banorë të përhershëm dhe 20 të tjerë përfitojnë shërbime gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje kthehen nëpër familjet ku kanë gjetur strehë (janë të afërm të tyre, por jo në gjendje të mirë ekonomike).

Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2008 nga kjo shtëpi janë birësuar gjithsej 8 fëmijë. Prej tyre, 5 janë marrë nga shtetas të huaj nga vende si Italia, SHBA, Gjermania e vende të tjera, dhe 3 janë birësuar nga familje shqiptare. Siç pohojnë specialistët e kësaj qendre, ky numër do të kishte qenë më i lartë për shtetasit e huaj, nëse ligji shqiptar do të kishte qenë më elastik.

Shtëpia e Foshnjës në Durrës mbahet me fondet që jep shteti. Por edhe institucionet e tjera kanë dhënë kontributin e tyre.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›