Studimet në Itali, paraqiten programet për të rinjtë
TIRANE-Janë plot 2 mijë të rinj shqiptarë që çdo vit zgjedhin universitetet italiane për të nisur studimet e larta. Pikërisht për t'iu ardhur sa më shumë në ndihmë, të gjithë atyre të rinjve që kanë dëshirë të studiojnë në auditoret e përtej Adriatikut, Ambasada Italiane në vendin tonë do të zhvillojë gjatë ditës së sotme një takim të veçantë, të quajtur dita e orientimit, ku specialistë të ndryshëm, jo vetëm do të prezantojnë sistemin universitar italian, por do t'i orientojnë të rinjtë edhe se si të kryejnë sa më shpejt procedurat e regjistrimit paraprak.
Vetëm pak ditë më parë, ambasada italiane njoftoi të gjithë të rinjtë se kanë nisur procedurat e regjistrimit për të gjithë ata që dëshirojnë të ulen në auditoret e universiteteve të këtij vendi. Ambasada bëri publike të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që ata duhet të dorëzojnë dhe saktësoi se për të ndjekur studimet e larta në Itali ndiqet e njëjta procedurë që ndjekin universitetet tona publike. Pikërisht për t'ua bërë më të lehtë të rinjve përzgjedhjen e degëve apo procedurat që duhet të zbatojnë, Ambasada Italiane në Tiranë do të organizojë sot, pranë Hotel Tirana International (në ora 11:00) një ditë të veçantë orientimi për të lehtësuar studimin e të rinjve shqiptarë në universitet italiane. Ky takim ka për qëllim të prezantojë sistemin universitar italian dhe të lehtësojë proçedurat e regjistrimit paraprak për vitin shkollor 2009-2010, si në kurset universitare (Diplomë e Nivelit të Parë, Diplomë e Nivelit të Dytë/Specialiteti/Master) ashtu edhe në kurset pasuniversitare (Master, Doktoratë etj.), duke u mbështetur në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit e Shkencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane.
(d.b/GSH/BalkanWeb)