Durrës, shtëpitë e shembura në Bago, një metër katror vlerësohet me 22700 lekë
Banorët që janë aktualisht të pastrehë nga shembja e shtëpive të tyre dy javë më parë në Bago të Kavajës si dhe atyre që u rrezikohen shtëpitë nga dëmtimet që kanë marrë, do të dëmshpërblehen shumë shpejt. Aktualisht për banesat e shembura dhe ato që janë cilësuar të pabanueshme është përcaktuar koefiçenti për çdo metër katror që do të zhdëmtohet. Kryetari i komunës Synej, Përparim Çaça ka bërë të ditur se koeficienti në fjalë është përcaktuar sipas kritereve të Entit Kombëtar të Banesave pas raportimit të detajuar që ka bërë në terren shoqata e ekspertëve për ngjarje të tilla.
Në bazë të verifikimeve në terren dhe përfundimit të procesverbalit me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve nga emergjencat civile, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe pushtetit lokal, është përcaktuar që një metër katror i shtëpive të shembura dhe dëmtuara të zhdëmtohet me 22 700 lekë. Kryetari i komunës së Synejit, pjesë e së cilës është fshati Bago, ka bërë të ditur se para disa ditësh është zhvilluar një mbledhje jashtë radhe e këshillit të komunës në të cilën është miratuar vlera e zhdëmtimit e propozuar nga shoqata e ekspertëve.Bëhet fjalë për 19 banesa gjithsej nga një deri në tre kate që pritet të zhdëmtohen për shkak se një pjesë e tyre u fundosën dhe mbuluan nga dhera të shumtë, kurse pjesa tjetër kanë pësuar çarje dhe dëmtime që nuk mund të riparohen. Megjithatë, për të dhënë një miratim përfundimtar do të pritet edhe vendimi i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, raporti i të cilit mendohet se do të publikohet gjatë kësaj të marte. Shërbimi gjeologjik do të vendosë nëse zona ku gjenden shtëpitë do të jetë e përshtatshme për të bërë ndërtime të reja dhe nëse ndonjë nga 19 shtëpitë e klasifikuara të rrezikshme për jetën, mund të përdoret nga banorët. Pas raportit të Shërbimit Gjeologjik, do të jetë e nevojshme edhe marrja e një vendimi nga ana e Këshillit të Ministrave për miratimin e fondit total për zhdëmtimin e banesave të shembura, megjithëse ky mendohet të jetë vetëm një formalitet pasi kryeministri Berisha i ka vizituar banesat e shembura dy ditë pas ngjarjes që ndodhi në 19 mars. Kreu i komunës së Synejit Përparim Çaça ka bërë të ditur se nga shembja e banesave në fshatin Bago kanë mbetur të pastrehë 45 banorë gjithsej, ndërsa një pjesë tjetër që ishin pronarë të këtyre banesave, gjendeshin në Itali në kohën që ndodhi fatkeqësia. Për momentin 45 banorët që gjenden pa strehë nga shembja e shtëpive, janë strehuar gjatë kësaj kohe tek të afërm dhe banorë të tjerë të fshatit, duke mos pranuar që të flenë në çadra.