E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT e Fierit vendos stop pallateve shumëkatëshe në qendër të qytetit

Ndërtimet me shumë kate do të lejohen vetëm në zonat periferike  
Qendra e qytetit të Fierit nuk do të ketë më pallate shumëkatëshe, e ndërsa luksin për një ndërtesë deri dhe mbi 10 kate do ta shijojë vetëm periferia. KRRT e bashkisë ka miratuar rregullat e reja të ndërtimeve në qytetin e Fierit. Drejtori i departamentit të urbanistikës pranë Bashkisë Fier, Manol Goga ka pohuar se ndërtesat që do të ngrihen do të mund të jenë 7-8 kate në rrugët kryesore, ndërsa në ato dytësore mund të shkojnë deri në 10 kate. Vetë Goga është shprehur se bazuar në planin rregullues të qyteti të do të lejohen kryesisht ndërtime të ulëta, nga 1-3 kate që janë për banesat vetjake ndërkohë si shesh ndërtimi për objekt, sipas tij do të miratohet vetëm një në lagjen 29 Nëntori. Ne jemi bazuar tek plani rregullues i qytetit dhe kjo nuk na jep hapësira  për të lejuar ndërtimet që prekin  nivelin e 10 kateve. Ne do të japim leje vetëm për 7 deri në 8 kate. Madje muajt e fundit kemi lejuar vetëm ato ndërtime që kanë karakter familjar dhe që arrijnë deri në tre kate. Përsa u përket lejeve të ndërtimit me shumë kate ne kemi lejuar vetëm 4 objekte shumëkatëshe, të cilat janë 8-10 kate. Ndërtimet në lagjet e Fierit janë të ndara në zona dhe me këtë plan rregullues, do të ngrihen ndërtesa të ulëta. Megjithatë, ne kemi thënë që në rrugët kryesore të qytetit të Fierit ndërtesat do të shkojnë deri në 8 kate dhe në rrugët dytësore deri në 10 kate. Zonat dytësore janë 10% e zonës së ndërtimit ose edhe më pak, ka vijuar Goga. Drejtuesi i departamentit të urbanistikës, Manol Goga ka shpjeguar këto kritere  pavarësisht se çka ndodhur më parë. Sipas tij, gjithçka do të zbatohet në vijimësi në këtë qytet, për të zbatuar me korrektesë planin rregullues. Goga ka ritheksuar në fjalën e tij se ndërtimet shumëkatëshe, të cilat do të jenë deri në 10 kate, do të miratohen në ato zona që parashikon plani rregullues dhe studimet urbanistike ku përmenden kufijtë e rrugëve kryesore të këtij qyteti si dhe lagjja 16 Prilli. Kryesisht qyteti i Fierit do të ngrihet me godina në ato kate që unë u përmenda por zonat që shkojnë deri në 10 kate do të jenë një numër fare i vogël dhe janë kryesisht në rrugët kryesore të qytetit që qarkojnë më tepër lagjen Kastriot, e cila është një lagje që ka marrë formën e plotë me ndërtesa shumëkatëshe. Gjithashtu, në planin rregullues të qytetit janë parashikuar lagje të tëra me godina 3-4-katëshe, siç mund të përmenden lagjet 1 Maj Sheq i Madh dhe Sheq i Vogël. Në këtë plan rregullues është përcaktuar shumë saktë edhe rrjeti rrugor, ka thënë më tej Goga. Në të njëjtën kohë plani rregullues, sipas Gogës, përveç mënyrës së orientimit të ndërtimeve në këtë qytet parashikon edhe vendosjen e sinjalistikës së rrugëve, gjelbërimin si dhe sheshet publike. Në këtë kontekst parashikohen edhe shpronësimet për ndërtimin e këtyre pallateve në këtë qytetin industrial. Nga institucioni i bashkisë kërkohet tashmë që biznesi dhe komuniteti në Fier të mirëkuptoj këtë plan rregullues, i cili sipas burimeve bashkiake është në favor të një klime zhvillimi në qytet. Vetëm në muajin mars nga KRRT u arrit të miratoheshin gjithsej 43 leje dhe sheshe ndërtimi. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në prona private dhe me karakter banimi si dhe zhvillimi të aktivitetit tregtar. Më herët se këto sheshe të kalonin për miratim nga KRRT e Bashkisë janë shqyrtuar edhe në këshillin teknik.

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 09:54

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›