E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrsakët kthehen te fitorja e ngjallin shpresa për më shumë

Teuta - Gramozi 2-0

Minutat e para të ndeshjes kanë qenë më të mira për Gramozin. Dos Santos në minutën e parë është penguar brenda zonës, por gjyqtari Jorgji lejon vazhdimin e lojës. Miqtë nga Kolonja e kanë vizituar dhe dy herë të tjera portën e portierit Rizvani, por pa mundur ta shenjëstrojnë atë. Djemtë e Ylli Shehut zgjohen dhe marrin nën kontroll lojën. Sulmuesi dhe njëkohësisht dhe kapiteni durrsak, Mile, ka rrezikuar disa herë, por goli mungon. Në minutën e 25-të zhbllokohet rezultati. Mesfushori Bledar Hodo është autori i golit të avantazhit. Teuta, megjithëse në avantazh, nuk tërhiqet, por shton sulmet në portën e Gramozit. Në minutën e 35-të, mbrojtësi Dushku ka shënuar golin e dytë, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij për të administruar rezultatin. Mënyra e festimit të golit të shënuar nga mbrojtësi ka qenë shumë e veçantë. Ai ka marrë topin dhe është drejtuar përballë tribunës qendrore e ka ulur topin poshtë dhe ka vënë sipër tij këmbën. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe shokët e tjerë të skuadrës, duke thënë që, pikërisht ky top i bashkon të gjithë. Trajneri Agim Canaj në minutën e 37-të, bën zëvendësimin e parë. Largon nga loja Bledar Lenën dhe në vend të tij aktivizon Olsi Bajollarin. Pjesa e dytë filloi me një Gramoz më agresiv dhe më kërkues, po që nuk arrin dot te goli. Kështu që Teuta merr një fitore të merituar në këtë takim, kur edhe debuton në stol trajneri Ylli Shehu.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›