Fundjavë e varfër për shqiptarët në Europë
Legjionarët
Një fundjavë e varfër mund të llogaritet për legjionarët shqiptarë në kampionatet e Europës. Gola shënojnë vetëm Albert Bunjaku në Gjermani dhe Nuhiu në Austri. Sulmuesi kosovar Bunjaku po dëshmon se ka cilësi të rralla në shënimin e golit. Ai realizoi golin e vetëm të skuadrës së tij, Nurenberg, në humbjen 2-1 me Borusia M'gladbah. Bunjaku shënoi në 47’ golin e barazimit të përkohshëm 1-1. Për të, ky ishte goli i pestë rresht në tri ndeshjet e fundit. Bunjaku u ngjit në kuotën e 11 golave, duke qenë i dyti në listën e golashënuesve në Bundesligë. Ai ka shënuar 11 nga 18 golat që ka realizuar skuadra e tij, fatkeqësisht e fundit në Bundesligën 1. Kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, e nisi me një debutim të hidhur vitin 2010, në humbjen 1-5 të Hanover 96 me Verder Bremen. Mesfushori 34-vjeçar hyri në minutën e 46-të. Kjo ishte dhe ndeshja e parë e Lalës për sezonin 2009-2010. Tus Koblenz i Edmond Kapllanit dhe Ervin Skelës barazoi në shtëpi 0-0 me Hansa Rostock. Sulmuesi durrsak luajti si titullar gjatë gjithë takimit. Në minutën e 70, topi i goditur prej tij kaloi ngjitur me shtyllën horizontale. Skela ishte gjatë gjithë kohës në pankinë. Edhe sulmuesi kosovar i SV Ried, Atdhe Nuhiu, humbi në ndeshjen e parë të këtij viti 2-1 me kampionët e Austrisë, Red Bull Salzburg. Gjithsesi, Atdhe Nuhiu shënoi edhe golin e vetëm të SV Ried në minutën e 52-të, një gol me kokë. Atdhe Nuhiu u ngjit në kuotën e 6 golave, duke qenë shënuesi më i mirë i ekipit të tij. Rapid Vjena e nisi keq rifillimin e sezonit, me një humbje 4-2 me Lask Linz. Sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi ishte i pafat, madje shkodrani u ndërrua në minutën e 58. Rapid Vjena humbi dhe vendin e parë, tashmë i dyti me 41 pikë, një më pak se Red Bull Salzburg, 42 pikë. Kievo Verona e Erjon Bogdanit humbi 0-1 me Sienën në Serinë A. Sulmuesi shqiptar e nisi si titullar, por u ndërrua në minutën e 60 nga Granoke. Piançeca e Edgar Canit humbi në Serinë B 1-0 në transfertë me Breshian, pas dy fitoreve radhazi.
#