Tirana bie edhe në Peqin, bardheblutë janë në krizë
Shkumbini fiton 1-0 me gol të Sekserit në 72’
Shkumbini ia doli të mposhtë 1-0 Tiranën në Peqin, në një ndeshje shumë nervoze, edhe pse luajti nga minuta e 50 me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të sulmuesit 21-vjeçar Erjon Mustafaj. Pas një pjese të parë pa gola, të zhvilluar në një terren të rënduar, Isidor Sekseri, me një gol mrekullueshëme në minutën e 72, nxori jashtë loje portierin e Tiranës, Blendi Nallbani, duke realizuar edhe golin e vetëm të takimit. Për 23-vjeçarin Sekseri, ky ishte goli i dytë sezonal.Pas daljes me karton të kuq të sulmuesit peqinas Mustafaraj, deputeti dhe njëkohësisht një nga sponsorët kryesorë të Shkumbinit, Dashnor Sula, ka zbritur nga tribuna VIP, për të replikuar ashpër me gjyqtarin kryesor të takimit, Sokol Jareci. Deputeti Sula ka replikuar ashpër edhe me futbollistin e Tiranës, Andi Lila. Loja është ndërprerë për disa minuta dhe është dashur ndërhyrja e forcave të rendit për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës. “Kemi bërë një paraqitje shumë të mirë dhe dua të deklaroj se lojtarët e mi, ndonëse me një lojtar më pak, kanë zgjidhur pozitivisht takimin me një fitore të merituar, nënvizoi trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu. Gjej rastin që, në emrin tim dhe të gjithë stafit të Shkumbinit, të falënderoj nga zemra lojtarët për shpirtin e garës dhe të sakrificës. Mund të them se gjykimi i arbitrit kryesor, Sokol Jareci, ka qenë tendencioz dhe mendoj se dalja e lojtarit tonë menjëherë me të kuqe ka qenë e qëllimshme. Ishte më se e qartë që sulmuesi ynë ishte në mbrojtje të topit dhe të paktën mund të kishte një faull në sulm, por jo një ndëshkim të tillë. Ndaj mund të them se 10 lojtarë kanë mundur 12 Tiranas”. Një grup policësh prej 5-6 personash mbanin deputetin Sula, duke mos e lejuar që të shkaktonte incidente edhe më të rënda, ndërsa disa pjesëtarë të stafit, por dhe tifozë, kanë kaluar rrethimin, duke iu afruar gjyqtarit Jareci. Tirana humbet për të dytën javë rresht, pas asaj me Vllazninë (0-1) në javën e 20 në “Qemal Stafa”. Kjo ishte humbja e shtatë sezonale e kampionëve në fuqi, të përfshirë në një krizë të gjithanshme drejtimi (në bankinë trajner zyrtar ishte Astrit Nallbani) dhe rezultatesh. Shkumbini me fitoren e djeshme, e nënta sezonale (të gjitha në shtëpi), u ngjit në kuotën e 30 pikëve, vetëm 2 pikë larg Tiranës së vendit të tretë (32 pikë) e 1 pikë larg Laçit të vendit të katërt (31 pikë). Për Shkumbinin, kjo ishte fitorja e katërt në 41 ndeshje historike me Tiranën (30 fitore, 7 barazime). Në fazën e parë, Tirana kishte fituar 2-0. Shkumbini mposht në Peqin të gjitha skuadrat e mëdha, Dinamon (4-0), Tiranën (1-0) e Vllazninë (2-1), duke u mundur vetëm nga Besa (1-2, java e dytë).
#