Dy anët e medaljes siriane
Ilir Kalemaj/ PhD
Pranvera Arabe që u përhap rrufeshëm nga Tunizia në Bahrein, nga Libia në Jemen, duket se ka pësuar një prapakthehu të beftë në Egjipt dhe një situatë rrumpallë në Siri. Jemi dëshmitarë të një anarkie totale që sa vjen dhe përkeqësohet. Lindja e Mesme, e cila ka qenë fuçi baruti prej tashmë dekadash ku nëse marrim vetëm mikrokozmosin e Libanit, Shiitët e Hezbollahut, Sunitë, Druzhët dhe Kristianët kanë mbi tre dekada që përplasen duke e shndërruar dikur Parisin e Lindjes- Bejrutin në një grumbull rrënojash. Apo Irakun fqinjë i cili ende tronditet nga shpërthimet me eksploziv në qendër të Bagdadit nga autonomia de facto e zonës së Kurdistanit rebel dhe përplasjet sektare mes minorancës Suni dhe mazhorancës Shia. Në Siri, që është dhe rasti më akut, Al-Assadi xhunior, bashkë me të atin arritën të dominonin politikën siriane prej mbi pesë dekadash, pas dështimit të një projekti konfederativ të drejtuar nga partia bathiste dhe që mendonte të bashkonte vendet e rajonit (Irak, Jordani, Siri dhe Egjipt) në një entitet politik.
Tre prej këtyre arritën të bashkoheshin për fare pak kohë nën drejtimin karizmatik të ish-presidentit egjiptian Nasser, ndërsa Iraku njohu dhe pushtet-mbajtjen më të gjatë nga një parti bathiste që mori fund vetëm me heqjen e detyruar të Sadamit nga pushteti. Por edhe pas rënies së pritshme të regjimit të Asadit, veçanërisht tani që janë faktuar sulmet e tij kimike dhe ku mijëra fëmijë ndër të tjerë kanë humbur jetën, gratë përdhunohen dhe burrat masakrohen, vakuumi politik që do ngelet në Siri, mund të pasohet nga një luftë sektare që mund të marrë pasoja dramatike mes sunitëve nacionalistë dhe luftëtarëve xhihadistë trans-nacionalë. Kjo të sjellë ndërmend konfliktet ndërfetare dhe ndëretnike në Irak (mes sunitëve besnikë rajonit të Tikritit që ishin baza kryesore mbështetëse e Sadamit), Afganistanit ku talebanët janë rikthyer fuqishëm në kontrollimin e skenës politike të vendit, pasi ekonomikisht nuk u dobësuan asnjëherë (edhe nga kultivimi suksesshëm dhe lulëzimi i tregtimit të opiumit) apo konflikti aktual mes Vllazërisë Myslimane dhe ushtarakëve laikë në Egjipt që po përshkallëzohet dita-ditës dhe ku qindra mijëra po humbasin jetët, pronat, liritë civile dhe politike etj.. Madje rasti i Egjiptit është emblematik edhe për faktin se përplasen dy modele: ai i demokracisë jo-liberale (që përfaqësohet nga Vëllazëria Myslimane) me atë të liberalizmit jo-demokratik (që është junta ushtarake në pushtet), siç ka vënë re me të drejtë një komentator amerikan. Siria, është një ‘domino’ e rëndësishme, pasi fati politik i mëtejshëm i saj, cenon drejtpërdrejt Libanin fqinj, fatin e të cilit e ka kontrolluar përgjatë gjysmës së shekullit të kaluar, por edhe Iranin dhe Izraelin të cilët mes deklaratash të forta kanë nxituar të krijojnë përshtypjen që do ndërhyhet ushtarakisht në Liban.
Ndërkohë janë përfshirë haptazi tashmë disa aktorë të rëndësishëm globalë dhe rajonalë të interesuar në rajon, si SHBA-të, Kina, Rusia, Franca dhe Turqia, interesat e shumëfishta të së cilave që variojnë nga garantimi i të drejtave të njeriut që po shtypen makabrisht çdo ditë, ruajtja e interesave gjeostrategjike dhe bazat ushtarake, kontratat e majme të sigurimit të naftës dhe gazit natyror, si dhe faktin që Siria është një nga shtetet kyç që përcakton dhe të ardhmen e stabilitetit rajonal. SHBA dhe BE janë shprehur qartë për një ndërhyrje energjike dhe po diskutojnë modalitetet e ndërhyrjes në Siri pas sulmit ende të pafaktuar de jure me armë kimike të regjimit të Asadit. Rusia nga ana tjetër, ka mbajtur një qëndrim intrasigjent përsa i përket ndërhyrjes ushtarake, për shkak të portit të fundit strategjik që zotëron në rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe kontratave të majme ushtarake, pjesa më e madhe e së cilave ende të palikujduara financiarisht nga ana e Sirisë. Kina nga ana tjetër është importuesja më e madhe e naftës iraniane ndërkohë që është përdoruesja e një të tretës së naftës botërore dhe çdo lloj cenimi i Iranit i përkthehet në kosto të drejtpërdrejtë ekonomike, ndaj nuk mund të qëndrojë duarkryq në rast të një sulmi ushtarak ndaj këtij vendi, i cili nga ana tjetër po i bën presione në rritje si Izraelit, ashtu edhe Turqisë.
Parë në këtë dritë, është me mjaft interes dhe jo vetëm nga pikëpamja e ngushtë rajonale, por edhe gjeopolitike botërore, ndërhyja ushtarake me bombardime nga ajri për të cilat është pajtuar së fundmi edhe Gjermania dhe që priten të materializohen së shpejti në këtë rajon që rrezikon ndezjen e konflikteve mbarëbotërore. E parë në një optikë më optimiste, ‘dominoja’ siriane mund të ketë një impakt pozitiv në përmbylljen me sukses të kësaj ‘vale të katërt demokratizimi’ duke reduktuar mundësinë e konflikteve në një të ardhme të afërt duke qenë se demokracitë liberale nuk e sulmojnë njëra-tjetrën apo të kemi një rikthim drejt modeleve të dështuara dhe stërprovuara të autoritarizmit shekullar dhe anarkisë totale që çon drejt një spirale të pandashme dhune në vende shumë-etnike, shumë-kulturore dhe shumë-fetare si rastet e sipërcituara. Ashtu sikundër mund të çoj edhe në një stad më të lartë ndryshimet thelbësore të dekadave të fundit në lidhje me normën e së drejtës publike ndërkombëtare për ndërhyrjet humanitare në mbrojtje të civilëve dhe t`i jap fund marrëzive delirante të diktatorëve laikë apo fundamentalistëve fetarë të të gjitha ngjyrave dhe kaheve.