Portreti i Enver Hoxhës në kujtimet e Vedat Kokonës
Vedat Kokona ka pasur fatin që të jetojë, pas ndërrimit të sistemeve, 8 vjet. Kujtimet e tij, më titull “endur ne tisin e Kohës” u botuan në vitin 2005, në kujdesin e së bijës, Mirvjenit. Ndërkaq Vedati kishte vdekur në 14 tetor 1998, në moshën 85-vjeçare. Datëlindja e tij: 7 gusht 1913. Vedati është njëri ndër intelektualët tanë që e kanë njohur thellësisht diktatorin Enver Hoxha. Kanë fjetur në një dhomë, në Korçë, për të përgjysmuar paret e qirasë. Vetë E.H.-a ia solli ndërmend këtë ‘zgjidhje’ njerëzish që ishin në nevojë që të kursenin. Në fillim të këtij libri të bukur, në f. 8, ai shkruan: “Desha t’i hedh në letër këto kujtime që t’u lija një kujtim, sado të vogël, brezave që do të vinë pas meje”. Ata që lexojnë librin, me siguri mendojnë: Të lumtë, na ke lënë një thesar. Në po atë faqe dhe në atë vazhduesen (f. 9) Vedatit i vjen keq për ata që kishin në dorë fatin e njerëzve dhe nuk kishin pas menduar për t’u lënë kujtime brezave të ardhshëm, Dhe shkruan; “Pa mendoni njëherë ç’ pasuri do të kishim sikur Bushatllinjtë të na linin kujtimet e tyre, gjurmët e një kohe të panjohur për ne, apo sikur Ali Pashë Tepelena, në vend që të admironte duart e bardha dhe të bukura të Bajronit kur vajti ta takojë, të linte, me anën e qatipit, se vetë s’dinte të shkruante; apo Frashëllinjtë, apo Zogu, apo Mit’hat Frashëri, apo Mehdi Frashëri, i vetmi që ngriti zërin kur bisha fashiste na sulmoi vendin; apo shumë të tjerë që vunë ose shkulën një gur në ndërtimin e këtij kombi. Për fat të keq nuk kemi gjë prej gjëje nga këto gjëra shumë të vlefshme që u duken përralla xhahilëve”. Kishte të drejtë. Njëri ndër ata që e njihnin me rrënjë e me dhëmballë Enverin ishte Foto Bala. Por ai ishte rrëfyes gojor, nuk kishte shkruar për një subjekt tepër të rëndësishëm. Ndryshe është puna me Beqir Ajazin i cili, sikundër edhe Vedati, e njihte Enverin, kur e ndihmonte në bibliotekën e Liceut klasik të Korçës, vullnetarisht: Beqiri ishte bibliofil, dhe pati rastin ta njihte mirë Enverin, si edhe t’i plotësonte njohuritë e veta në praninë e shokëve të burgut, që ia dinin huqet diktatorit. Vedati ka dy dhunti të jashtëzakonshme që të bëjë një libër shumë të mirë e të besueshëm plotësisht: E para, talentin letrar, njohjen e thelluar të gjuhës shqipe, të kurorëzuar me suksese në çmimet që jepeshin që në kohën studentore të tij, kur vajti në vendet skandinave për tregimin e vlerësuar më çmim. Ai nuk vajti vetëm si spektator. Nga kjo shëtitje e këndshme doli një libër, nga më të mirët e përshkrimeve të udhëtimeve. Së dyti, Vedati është një person optimist për nga natyra, me këmbët në tokë, i përkorë e i ekuilibruar, që nuk mund të paditet për sajesa. Për Enverin ai shkruan pa pasione negative, me humor shpeshherë, duke qenë i ndërgjegjshëm se ngjarja në vetvete është e rëndësishme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje-shtesë. Dua të them se në penën e V. Kokonës, shquhet letrari, jo publicisti. Për shembull. Ai nuk e ndjen nevojën që të shprehet se Enveri ishte një nxënës mediokër. “Carta canta”, në kuptimin e “fletë vetë fakti”, është motoja e të shkruarit të tij. Një shembull konkret: Në provimin e anglishtes, me Babi Lonin: “Babi Loni, pasi i kishte bërë Enverit disa pyetje që, me sa dukej s’kishin pasur përgjigje, deshi t’i bënte edhe një pyetje që ta ndihmonte dhe i tha: Hoë do you call in English the animal most closely resembling man? (Si quhet në anglisht kafsha që i ngjan më shumë njeriut?). Enveri, që s’e kuptoi pyetjen, i tha: -Please, repeat (Të lutem përsërite). Babi Loni, për ta ndihmuar, i tha:-Ëhat is dhe name of the animal that ia more or less like you? (Cila është kafsha që është pak a shumë si ju?). Dhe Enveri, këtë radhë i sigurt se e kishte kuptuar pyetjen dhe do të dilte mirë në provim, tha duke e shpënë dorën në ballë: -Donkey! (Gomar). Ata që e dinin anglishten u shkulën gazit se xhevahir të tillë zor se do të gjeni njëherë tjetër, Bashkë me ta qeshte edhe Enveri. Shënim i shkrimit tonë: Majmuni (monkey) që ka shqiptim të përafërt me gomarin (donkey), (mánki- danik) i dukeshiun njësoj Enverit!
E.H.-a nuk kishte një shoqëri shkollore që t’i lente mbresa miqësore, si të gjithë njerëzit e këtij rruzulli. Të gjithë ishin mish për top, qoftë edhe pa rënë ndesh me interesat e tij pushtetare. Këto i themi né, publicistët, Por Vedati, elegant, edhe kur përmend Sabiha Kasimatin, një shoqe klase e diktatorit të ardhshëm, që s’ishte marrë kurrë me politikë, por kishte ndriçuar në ato pak vite të pushtetit enverist si shkencëtare e qenieve të gjalla ujore, përmendet kështu nga Vedati: “Enveri kishte si bashkënxënës vëllanë tim, Nedimin, Sabiha Kasimatin që e tallte shpesh, Enver Sazanin, Hamit Kokalarin (përmend edhe 5 të tjerë)...Kaq. Pra,- themi né, - Sabihaja e tallte shpesh. Shokë klase ishin, së fundi. Megjithatë shokët e vjetër të klasës, kur takohen pas aq vitesh, kanë ç’të kujtojnë e nuk merren me gjerat që duhet të harrohen nga koha. Por jo! Enveri i mban në kujtesën e tij, për... hakmarrje! Vrasja e Sabihasë përshkruhet në një mënyrë që të ngre flokët përpjetë kur Didi Biçaku ishte e lidhur për dore me Sabihanë, për t’u pushkatuar te Ura e Beshirit. Por ja që Didi ishte vënë gabimisht në listë dhe e zgjidhën nga Sabihaja kur i ngjitën në kamionin e vdekjes. Kjo është shkruar në mënyrë rrëqethëse në librin”Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”, për të cilin do të shkruajmë së shpejti. Për tani do të themi vetëm se, ndonëse në këtë institut kishin studiuar edhe të gjitha vajzat që më vonë u bënë pushtetare, megjithatë pushteti hakmarrës nuk harroi që këtë varr ta shpërthente me dinamit.