Dy biondet e kinemasë
U shuan 30 vjet më parë, pak ditë larg nga njëra-tjetra. Bergman dhe princesha e ardhshme të lidhura nga një fat i përbashkët
Ingrid dhe Grace, yjet që i thanë jo Hollivudit

Grace Kelly
Njëra ishte e gjatë, tepër elegante, me një bukuri natyrore gati të përsosur, e vendosur në vitrinën e stereotipave, që njihej ndryshe me emrin Hollivud. Ingrid Bergman ishte njerëzore, një grua e vërtetë, me pasione, kufij, të meta dhe me aftësinë për të rijetuar jetën. Bënte pjesë në rangun e aktoreve të mëdha, megjithatë ka nga ata që e kanë të vështirë ta thonë këtë. Maksimumi që mund të bëje ishte të admiroje pafund fytyrën e saj të bukur, duke qenë se gjatë gjithë jetës, fillimisht në Suedinë e saj, ka aktruar në gjuhë të huaja: në anglishten e Hollivudit, frëngjishten dhe italishten e emigrantëve. Tjetra, Grace Kelly, ishte produkt i një edukimi të përsosur amerikan mbështetur nga paratë dhe klasi. Grace mund të quhej lehtë e përsosur. Kishte flokë të verdhë, ishte mjaft elegante, e vendosur, krenare, shumë e zonja si aktore, sidomos në rolet e ftohta. Hollivudi ia kishte besuar asaj misionin e ftohtësisë. Ishte një aktore me vullnet të hekurt, kishte ditur të ngrinte një karrierë si modele dhe ishte tërhequr në momentin e shkëlqimit maksimal, duke u bërë ajo që të gjithë mendonin: një princeshë.
Krahasimi mund tju duket i çuditshëm, por secila vajzë lidhet me një fat të përkohshëm mjaft të çuditshëm, sepse u shuan njëherësh, në një distancë dyjavore nga njëra-tjetra, në verën e 30 vjetëve më parë. Ingrid Bergman vdiq më 29 gusht të vitit 1986. Populli i kinemasë u hidhërua shumë kur i dha lamtumirën e fundit aktores-divë. Tjetra, Grace Kelly, u shua më 14 shtator, pas aksidentit të tmerrshëm automobilistik që i mori jetën. Deri para kësaj ngjarje, jeta e Kelly-t kishte qenë një përrallë.
Dy stile të ndryshme, dy imazhe të ndryshme femërore, dy shkolla të ndryshme aktrimi, por sigurisht dy diva, pavarësisht se kjo fjalë mund të jetë vjetruar tani. Dy yje që mund të krahasohen lehtë me Marilyn Monroe, Marlon Brando, Sophia Loren, Marcello Mastroiani-n. Grace dhe Ingrid: dy simbole, dy modele, dy histori ekzemplare, me të cilat kinemaja krenohej.

Ingrid Bergman
Ingrid Bergman ishte aventuriere, e gjallë, plot ide. Vajza nga Suedia shquhej edhe për një gjatësi jo fort normale për atë kohë. Kur producenti i madh David O. Selznick e ftoi në Hollivud, i kërkoi të hiqte takat (që ajo nuk i mbante), të drejtonte dhëmbët (por ajo nuk e bëri) dhe të ndërronte mbiemrin, (që në vigjilje të luftës, tingëllonte shumë gjerman). Ingrid nuk pranoi të bënte asnjë ndryshim. Qëndroi vetvetja, bëri filma të bukur si Casablanca dhe Notorious dhe të shëmtuar si Zhan Dark, e veç të tjerash krijoi një marrëdhënie me Alfred Hitchcock që zgjati tre vjet. Ky i fundit do të ishte pikërisht ura lidhëse mes Ingrid Bergman e Grace Kelly, pas Oskarit të fituar me filmin Vajza e fshatit. Kelly do të xhironte edhe tre filma të tjerë të suksesshëm me Hitchcock: Krimi perfekt, Rear Window dhe To Catch a Thief, i xhiruar në Bregun e Kaltër, vendi ku lindi dashuria mes princit dhe aktores.
Si Ingrid Bergman ashtu edhe Grace Kelly, pavarësisht se ishin dy fytyra të ndryshme, përfaqësonin feminilitetin, femrën elegante, të kontrolluar, të ftohtë nga pamja e jashtme dhe të nxehtë përbrenda, që çmendnin Alfred Hitchcock, i cili tërhiqej vetëm nga biondet dhe që pas largimit të Ingrid Bergmanit nga Hollivudi dhe martesës së Grace Kelly, filloi të provonte bionde të tjera si Vera Miles, Kim Novak, Eve Marie Saint, Tippi Hedren, të cilat fatkeqësisht nuk mundën të zinin një vend as në zemrën e tij dhe as në kinema. Boshllëkun e Ingrid dhe Grace-it nuk mundi ta mbushte asnjë. Tek ai mbeti vetëm nostalgjia (kështu thoshte) e grave të botës, e damave të vërteta, diferencën e të cilave mund ta bëje vetëm në dhomën e gjumit.
Natyrisht që ka ndryshime të pafundme mes jetës së Bergman, e cila fitoi tri çmime Oskar, u martua tri herë, kishte katër fëmijë. Ndërkohë që historia e Grace Kelly, duket si një roman rozë, me fund tragjik dhe veshje Dior. Të dyja zonjat në fund kishin diçka të përbashkët: zotin Alfred Hitchcock (bashkë me fantazitë e tij mbi biondet) dhe cilësinë e veçantë që quhet joshje, gjë që e shndërroi Ingrid Bergman në damën e madhe suedeze dhe Grace Kelly-n, në trashëgimtaren e përsosur të Filadelfias, që u bë princeshë.
Suedezja
Ingrid Bergman lindi në Stokholm, në 29 gusht të vitit 1915. Fitoi tre herë çmimin Oskar
Amerikania
Grace Kelly, lindi në Filadelfia në vitin 1929. Realizoi tre filma me Hitchcock. Në 56 u largua nga kinemaja
Aktorja konsiderohej shumë e gjatë për producentët. Zgjodhi si bashkëshort Rossellini-n dhe bëri katër fëmijë
Kelly ishte bërë e famshme kur u dashurua me Ranieri-n, ndërsa po xhironte një film në Bregun e Kaltër
Casablanca - Sipër një skenë e Casablanca (1942), poshtë Notorious
To Catch a Thief - Sipër nje skenë e filmit High society (1956), poshtë To Catch a Thief
Dy biondet e kinemasë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip