E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy fusha të reja futbolli në Luginën e Preshevës, FSHF mbështetet nga komuniteti lokal

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Nisma e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për ndërtimin e dy fushave moderne të futbollit në Luginën e Preshevës ka marrë mbështetjen e drejtuesve vendorë, komunitetit sportiv dhe qytetarëve në Bujanoc dhe Preshevë.

Projekti parashikon ndërtimin e dy fushave, njëra në Komunën e Bujanocit dhe tjetra në Komunën e Preshevës, me synim krijimin e kushteve më të mira për stërvitjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve që merren me futboll.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, e vlerësoi nismën e FSHF-së, duke e cilësuar si një investim të drejtpërdrejtë në sport dhe në të ardhmen e fëmijëve të zonës.

“Federata e Futbollit ka marrë iniciativën për ndërtimin e dy fushave në Luginën e Preshevës, njëra në Bujanoc dhe tjetra në Preshevë. Si kryetar i Komunës së Bujanocit, e përshëndes këtë iniciativë. Është një investim i drejtpërdrejtë në sport dhe në të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Pajaziti.

Ai falënderoi gjithashtu biznesmenin me origjinë nga Bujanoci, Tamer Turker, për kontributin financiar në projekt, ndërsa u bëri thirrje edhe bizneseve të tjera që të kontribuojnë në realizimin e tij.

“Dua të falënderoj edhe një nga donatorët, i cili është paraqitur pas thirrjes së FSHF-së. Bëhet fjalë për biznesmenin me prejardhje nga Bujanoci, Tamer Turker, i cili do të investojë një pjesë të këtij projekti. Inkurajoj edhe bizneset e tjera, të cilët kanë mundësi që të investojnë në këtë projekt shumë të rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh kryetari i Bujanocit.

Mbështetje për projektin ka shprehur edhe komuniteti sportiv. Florim Agaj, trajner i moshave të vogla te skuadra e Besës në Bujanoc, e cilësoi ndërtimin e fushës si një ëndërr që po bëhet realitet.

“Për ne është një nga projektet më të mëdha që mund të ndodhë në qytetin e Bujanocit. Është një ëndërr që me gjasë po bëhet realitet. Ne e kemi pritur shumë gjatë një fushë, që dikush të na e mundësojë të na bëjë një fushë. Jemi shumë falënderues ndaj FSHF-së, ndaj Presidentit Duka, si edhe ndaj familjes Turker që ka shprehur dëshirën për të ndihmuar në këtë projekt”, tha Agaj.

Edhe qytetarët e Bujanocit e kanë pritur me entuziazëm nismën. Mensur Avdiu u shpreh se lajmi për ndërtimin e fushës ka gëzuar veçanërisht fëmijët.

“Kur fëmijët dëgjuan që FSHF ka vendosur të bëjë një fushë, ishin shumë të entuziazmuar”, tha Avdiu.

Projekti i FSHF-së synon të krijojë infrastrukturë të re sportive në Luginën e Preshevës dhe t’u ofrojë fëmijëve dhe të rinjve mundësi më të mira për t’u stërvitur dhe për të zhvilluar talentin e tyre në futboll.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›